Athinë, 29 tetor – Kryeministri grek Kirjakos Micotakis në fjalimin e tij në fillimin e seancës së sotme qeveritare, duke folur për gjendjen me koronavirusin e ri paralajmëroi plan të ri të veprimit në kohëzgjatje prej një muaji dhe përsëriti edhe njëherë se qëllimi është që të shmanget karantina e plotë.
Kryeministri grek shmangi të japë detaje për masat, por shpjegoi se plani i ri njëmujor është bazuar në proceset e deritanishme të zbulimit të rasteve të reja dhe në atë se cilat aktivitete ekonomike shkaktojnë probleme më të mëdha dhe cilat probleme më të vogla dhe përhapje të koronavirusit.
“Prej sot, duhet të merren disa vendime të jashtëzakonshme. Selaniku, Larisa dhe Rodopi hyjnë në fazën e kuqe, që do të thotë se mbyllen shumica e aktiviteteve, përveç, dyqaneve dhe shkollave. Sërish do të them, qëllimi ynë mbetet shmangia e karantinës së plotë, sepse do të shkojmë në përforcim shtesë të kufizimeve dedikuese”, tha Micotakisi dhe shtoi se 15 ditët e ardhshme janë kryesore.
Ai theksoi se gjendja në Greqi është më e mirë se në vendet e tjera në Evropë dhe se me siguri është dy deri në tre javë më mbrapa nga ajo që tani po ndodh në shtetet e tjera evropiane.
Micotakisi në seancë qeveritare, e cila edhe më tej mbahet përmes lidhjes videokonferenciale, tha se sistemi shëndetësor është nën presion të madh deri më tani.