Uashington, 13 shkurt – Nuk kemi çka të ndajmë nga trashëgimia kulturore e Aleksandrit të Madh, thotë lideri i partisë opozitare greke Demokracia e Re, duke u përgjigjur në këtë mënyrë në deklaratën e shefit të diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov se në shekullin 21, dy shtete evropiane që e ndajnë rajonin gjeografik Maqedoni, duhet të gjejnë mënyrë për ndarje edhe të trashëgimive kulturore.
“Nuk kemi çka të ndajmë nga trashëgimia kulturore e Aleksandrit të Madh. Sepse e lexova deklaratën e Dimitrovit se duhet ta ndajmë identitetin kulturor, nuk kemi asgjë për të ndarë. Aleksandri i Madh ishte grek. Nuk ka dyshim për atë dhe nuk do të hyjmë në debate ose negociata për këtë çështje. Ajo është pjesë bazë e identitetit nacional. Nuk ekziston kompromis për këtë çështje”, tha Kirjakos Micotakis, ndërsa si shembull e përmendi një pyetje në një kuiz në shoun britanik. Në pyetjen “Ç’farë nacionaliteti ka qenë Aleksandri i Madh?”, përgjigja se ka qenë grek është marrë si gabim, sepse përgjigja e saktë ka qenë: maqedonas.
“Këto pyetje shkaktojnë reagime emocionale”, ka komentuar Micotakis.
Kryetari i Demokracisë së Re, siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina, është për vizitë në SHBA dhe në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, ku ka folur për politikën e jashtme greke dhe çështjen e emrit. Në raport të negociatave, Micotakis tha se nuk është veçanërisht optimist, ndërsa këtë qëndrim të tij e mbështeti me mënyrën në të cilën Qeveria greke u ballafaqua me çështjen nga vetë fillimi. Megjithatë sqaroi se Qeveria në Shkup është e hapur për kompromis, ndërsa i përsëriti edhe pozitat e Demokracisë së Re për pako të zgjidhjeve.
“Ne gjithmonë kemi biseduar për pako të zgjidhjeve. Kjo nuk është zgjidhje që mund të zgjidhet në hapa. Dhe megjithatë, pakoja e zgjidhjeve duhet të përfshijë ndryshime nga Shkupi në Kushtetutë, sipas meje ajo është e obligueshme, por gjithashtu edhe të ballafaqohet me çështjen e identitetit dhe irredentizmit që ende ekziston në libra. Këto çështje ndonjëherë janë edhe më të rëndësishme se sa çështja e emrit”, ka potencuar Micotakis.