Athinë, 24 shtator – Dilemën vetëmbrojte ose karantinë e shtroi kryeministri grek Kirjakos Micotakis në fjalimin e tij të ri televiziv për qytetarët mbi situatën e koronavirusit në Greqi, për nevojën për t’i respektuar masat, duke e vendosur theksin në përdorimin e maskës, për përgjegjësi individuale, dhe natyrisht, nuk kumtoi masa shtesë shtrënguese.
“Do ta them hapur. Dilema është vetëmbrojtja ose karantina. Dhe duke i ditur pasojat e së dytës, ne jemi të detyruar ta zgjedhim të parën. Pa shumë fjalë, por me disa procedura, të testuara dhe efektive: distanca, higjiena personale dhe veçanërisht maska, derisa të gjenden ilaçi dhe vaksina. Sigurisht, do të guxoja të them se maska është vaksinë, derisa të vijë vaksina”, tha Micotakis.
Ai shpjegoi se në ballafaqimin me valën e re të pandemisë, “shteti, shkencëtarët dhe qytetarët duhet të punojnë edhe më ngushtë me një besim më të madh reciprok”, duke shtuar se vendi tani është më i përgatitur se më parë, sepse dihet se cilat masa sjellin rezultate, por vuri në dukje se edhe masa më efektive “varet nga zbatimi i qëndrueshëm”.
“Ose përsëri do të kemi sukses së bashku ose do të humbasim shansin së bashku”, tha kryeministri grek.
Ai shtoi se javët e ardhshme do të jenë vendimtare për muajt e ardhshëm, ndërsa ndoshta edhe vitet.
“Kemi kaluar shtatë muaj të vështirë. Qeveria, ju kujtoj, po lufton në shumë fronte në të njëjtën kohë: çështjet kombëtare, çështja e emigrantëve, ekonomia, por edhe katastrofat natyrore. Por, veçanërisht në luftën për shëndetin, si askund tjetër, ne kemi nevojë për një qytetar të vetëdijshëm si një aleat”, tha kryeministri grek.
Në Greqi sot janë regjistruar 342 raste të reja me Kovid-19, ndërsa nëntë njerëz vdiqën.
Që nga fillimi i epidemisë janë infektuar 16.627 njerëz, ndërsa kanë vdekur 366 njerëz.