Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski sot në konferencë shtypi kërkoi që të hënën të shpërbëhet Kuvendi. Vlerësoi se ka kohë të mjaftueshme që të organizohet cikël zgjedhor korrekt në pajtim me Ligjin në Republikën e Maqedonisë dhe së bashku me zgjedhjet presidenciale të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Sot nga i turpëruari Zoran Zaev i dëgjuam dy teza. Teza e parë është se fshihet pas vendimeve të organeve të partisë dhe e dyta është se anketat kanë treguar epërsi të sigurt dhe se për çdo politikan do të ishin të mirëseardhura katër vjet mandat. Por, e vërteta është si vijon, nëse me të vërtetë është ashtu, atëherë që të hënën le ta shpërbëjmë Kuvendin dhe kemi kohë të mjaftueshme të organizojmë cikël zgjedhor korrekt”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.
Ai theksoi se VMRO-DPMNE nuk ka frikë prej zgjedhjeve dhe ka kohë të mjaftueshme që të përgatiten zgjedhje, të formohet qeveri teknike dhe së bashku me zgjedhjet presidenciale të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Dhe atëherë ta shohim nëse Zoran Zaev dhe grupi rreth tij e gëzojnë besimin siç tha sot në konferencën për shtyp apo atë anketën e vërtetë do t’ia thonë qytetarët në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nuk kërkojmë zgjedhje sepse duam me çdo kusht që VMRO-DPMNE të jetë në pushtet por kërkojmë zgjedhje që Maqedonia të ndalojë të humbas dhe Zoran Zaev dhe grupi rreth tij përfundimisht ta braktisin skenën politike në Republikën e Maqedonisë”, shtoi Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjen nëse ka frikë prej zgjedhjeve.