Shkup, 21 tetor – Në takimin e sontëm të partnerëve të koalicionit kam propozuar, ndërsa njëzëri është pranuar Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” të riemërtohet në “Për rindërtim të Maqedonisë” dhe nuk ka pasur vërejtje për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ka theksuar lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, transmeton gazeta KOHA.
“Maqedonisë i nevojitet rindërtim pas kësaj që i ka ndodhur veçmë tre vite me radhë. Premtojmë shumë punë dhe pastrim me gjitha krimet që janë bërë në të kaluarën dhe me vite që e trashëgon shoqëria e vendit. Premtojmë reforma në shumë segmente, mes saj kthim të sundimit të së drejtës, luftë të pakompromis dhe zero tolerancë për krimin dhe korrupsionin, pastaj bum ekonomik dhe Maqedonia tigër teknologjik në Ballkan”, ka thënë Mickoski para selisë së VMRO-DPMNE-së.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, ai tha se ka komunikim edhe me parti tjera politike për t’u kyçur në koalicion, ndërsa disa prej tyre siç tha, “i ka parë dje në shoqërim të Zoran Zaevit”. Sipas tij bisedohet edhe me parti politike shqiptare, por ende nuk ka konkluzë përfundimtare nëse do të ketë koalicion parazgjedhor ose paszgjedhor.
Lidhur me anketat që dalin këtyre ditëve për rejtingun e partive, Mickoski ka thënë se VMRO-DPMNE kryeson me mbi 100 mijë vota që është ndryshe prej asaj që e pohon Zaev se LSDM është në epërsi.(koha.mk)