Shkup, 10 mars – Krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të drejta presidenciale dhe ligjet reformuese, ishin temë e takimit të sontëm, i cili zgjati dy orë e gjysëm në Qeveri, i liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe liderit të LSDM-së dhe kryeministrit Zoran Zaev, raporton gazeta KOHA.
Pas takimit, Mickoski deklaroi se kanë shkëmbyer fakte rreth këtyre dy çështjeve dhe kanë konstatuar se Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të shkoj në drejtimin e duhur.
“Takimi ishte i dobishëm për relaksimin e atmosferës politike. Në pjesën e parë i kemi theksuar vërejtjet tona se në shtet ka persekutim politik dhe punësime partiake. Përveç kësaj, theksuam se ku kemi pasur parregullsi në Referendum. Në pjesën e dytë kemi biseduar për Prokurorinë Speciale Publikë (PSP). Kjo prokurori e ka humbur kredibilitetin te ne. Ligji i ri për Prokurorin duhet të shqyrtuar në grupe pune nga të gjitha partitë politike”, tha pas takimit Mickoski, transmeton gazeta KOHA.
Ai theksoi se ka shumë vërejtje për propozim ligjin për prokurorin, por se shpreson se do të gjendet zgjidhje.
“Ne si opozitë propozim tekstin e ligjit e kemi marrë të enjten. Nuk kemi pasur kohë që ta shqyrtojmë. Duhet ta hapim debatin dhe të debatohet. Kreu i Qeverisë është dakorduar që ti hapim të gjitha temat”, theksoi Mickoski.
Në takim Mickoski dhe Zaecv janë marrë vesh për komunikim operativ të dy shtabeve partiake të kandidatëve presidencial.
“Nuk ka garanci se procesi do të jetë fer dhe demokratik, por shpresojmë që ky takim të kontriboi për besim. Megjithatë ne mbetemi në kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe presim që kandidatja jonë për president, Gordana Siljanovska-Davkova të fitoi”, thotë kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, transmeton gazeta KOHA.
Edhe pse ligji për prokurorin është thelbësor për fillimin e bisedimeve me BE-në, ai thotë se nuk do të nxitojnë, derisa ligji të hartohet ashtu siç duhet. Grupe pune nga pozita dhe opozita do të punojnë intenzivisht, por Mickoski theksoi se nuk do të nxitohet. (koha.mk)