Shkup, 17 tetor – Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot iu është përgjigjur letrës së ndihmës sekretarit të SHBA-ve, Ves Miçell, i cili një ditë më parë, tha se ishte i zhgënjyer me veprimet e VMRO-së dhe udhëheqësin e saj në lidhje me referendumin mbi Marrëveshjen e Prespës, por edhe mbi qëndrimin kundër ndryshimeve kushtetuese në Parlament.
Në përgjigje, Miskoski shkruan se Marrëveshja për emrin është e dëmshme për interesat e kombit maqedonas dhe atdheun e tij, dhe si e tillë, shkruan Mickovski, është e papranueshme për VMRO-DPMNE-në dhe për shumicën dërmuese të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë që bojkotuan referendumin e 30 shtatorit.
“Marrëveshja është e dëmshme për interesat e kombit tim dhe atdheut tim dhe si e tillë është e papranueshme për VMRO-DPMNE-në dhe për shumicën dërrmuese të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, që u dëshmua edhe në referendumin e fundit”, shkruan në përgjigje Mickovski.
Lideri i VMRO-së në letër ka akuzuar Qeverinë e Zoran Zaevit, ndërsa kryeministrin e cilëson si fajtor kryesor për gjendjen në të cilën ndodhet marrëveshja për emrin, sepse siç shkruan Mickovski, Bashkësisë Ndërkombëtare i ka premtuar diçka që nuk mund ta bëjë. “Shpresoj që Maqedonia së shpejti të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së, por krenare dhe dinjitoze, jo e turpëruar, e deformuar dhe e turpëruar”, shkruan mes tjerash në përgjigje Mickovski.
Letra e plotë e Mickovskit drejtuar z.Miçell:
“I respektuar ndihmës sekretar shtetëror zotëri Miçell,
Me vëmendje të posaçme e lexova letrën Tuaj dhe do të dëshiroja që të shfrytëzoj këtë mundësi që t’Ju falënderohem për mbështetjen të cilën atdheu im e merr në pikëpamje të integrimeve euroatlantike që janë edhe interes strategjik i partisë sime dhe qytetarëve të vendit tim. Shpresoj se shumë shpejtë Republika e Maqedonisë do të jetë pjesë e familjeve të NATO-s dhe BE-së, por krenare dhe me dinjitet, e jo e nënshtruar, e shpërfytyruar dhe e degraduar.
Në vazhdim të kësaj letre do të dëshiroja të potencoj disa fakte, procesi i bisedimeve ishte udhëhequr pa ambient të krijuar, në mënyrë aventuristike, në mënyrë manipuluese i fshehur nga opinioni, pa strategji të vërtetë dhe me porosi të rreme. Në gjithë këtë periudhë të bisedimeve, hollësitë dhe mënyra si ishte arritur deri te marrëveshja, ne si forcë më e madhe politike ishim të përjashtuar, ishim jashtë procesit dhe nuk ishim konsultuar. Këtë e potencoj për shkak se ky vendim i cili diskutohet është vendim, i cili iu përket subjekteve në pushtet, dhe deri te i njëjti nuk është arritur sipas konsensusit, në periudhë dhe kohë kur një konsensus i tillë kërkohet edhe nga opozita.
Më tutje, Qeveria duke e uzurpuar procesin, vendosi pyetje manipuluese dhe me shumë kuptime për referendum që i inkorporoi edhe NATO-n dhe BE-në. Sugjestionet e mia të qarta ishin se pyetja është me shumë kuptime dhe konfuze, dhe se nevojitet që të formulohen dy pyetje të ndara, njëra që ka të bëjë thjeshtë me pranimin ose mospranimin e marrëveshjes, dhe tjetra e cila do ta shprehë vullnetin e qytetarëve se a janë për anëtarësim në NATO dhe BE, që sipas bindjes time të thellë është interes i yni strategjik. Përsëri VMRO-DPMNE-ja nuk gjeti mirëkuptim nga Qeveria dhe vendosi që procesin të vazhdojë pa konsensus me opozitën.
Gjithë ky proces hasi në shumë vlerësime të gabuara, shpresa të rreme dhe pritje të gabuara, të cilat për fat të keq ishin produkt i Qeverisë, e cila e gënjente gjithë bashkësinë ndërkombëtare se do të japë diçka që nuk është në gjendje ta japë.
I nderuar z.Miçel,
Kjo Marrëveshje është e dëmshme për interesat e kombit tim dhe atdheut dhe si e tillë është e PAPRANUESHME për VMRO-DPMNE-në dhe për shumicën e madhe të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, që në të vërtetë edhe u tregua në referendumin e fundit ku edhe krahas mbushjes brutale dhe të dhunshme të kutive nga ana e njerëzve të afërt të Qeverisë, megjithatë në fund nuk ia arritën qëllimin për të siguruar kushte të përafërta që referendumi të shpallet i suksesshëm. Kemi vende ku brutalisht dhe në mënyrë të dhunshme janë mbushur kutitë dhe jehona është më e madhe se 90%, edhe pse mesatarja nuk kalon 45%. Vallë këto janë vlerat në të cilat duhet të besojmë? Vallë kjo është mënyra si duhet të shkatërrohen përfitimet demokratike të cilat i zhvillojmë në vitet e pavarësisë, të Maqedonisë sovrane dhe të pavarur? Vallë duhet të rri memec në pyetjet e studentëve të mi kur zbatojnë shembuj ku hidhen poshtë ligjet e fizikës me votim në çdo 5 sekonda? Vallë vlerat evropiane janë kërcënimet, shantazhet të cilat i përjetuan qytetarët direkt nga pushteti për të dalë dhe të votojnë, prezantimi i rremë i personave nga pushteti dhe lobimi gjatë heshtjes zgjedhore dhe të mos përmendi për qindra masat disiplinore, regresione, sanksione dhe pushime të të punësuarve në administratën shtetërore të cilët nuk e mbështetën marrëveshjen, ose vazhdimin e ndjekjes politike ndaj kundërsharëve të pushtetit, diçka që për ne u bë përditshmëri dhe shprehi me të cilën u mësuam të jetojmë në shoqërinë tonë. Vallë duhet ta heshtim faktin se të gjitha institucionet heshtin për atë çka ka ndodhur ditën e votimit në referendum dhe më pas?
Përgjigjja është e thjeshtë, refuzoj që këtë ta pranoj dhe jo vetëm që refuzoj por edhe ashpër do të kundërshtohem me gjithë diturinë time, kapacite dhe mjete demokratike kundër dukurive të këtilla devijuese. Kjo nuk është Maqedonia në të cilën duam të jetojmë.
Vazhdoj dhe me të vërtetë nuk mund të besoj se si do të kontribuohet për stabilitetin, paqen dhe sigurinë nëse pranohet Marrëveshja, të cilën:
- bindshëm shumica e qytetarëve e ka hedhur poshtë referendumin.
- me të cilin ndërrohet Kushtetuta, me qëllim të ndryshimit të emrit kushtetues të shtetit.
- me të cilin shfuqizohen të gjitha të drejtat e fituara të Republikës së Maqedonisë si
- a) rezolutë e KB-së për pranim të Republikës së Maqedonisë nga viti 1993, b) marrëveshje e përkohshme me Greqinë nga viti 1995 dhe c) Aktvendim i Hagës në dobi të Maqedonisë nga viti 2011,
- me të cilin me nenin 8 nga marrëveshja parashikohet formim i Komisionit mes dy shteteve Republika e Maqedonisë dhe Greqia, detyrë për rishikimin e historisë, arkeologjisë dhe arsimit, duke e dëmtuar përgjithmonë identitetin e vendit tim.
- me të cilin heq dorë shteti nga kujdesi për Pakicat maqedonase në vende tjera, por njëkohësisht heq dorë edhe nga maqedonasit në diasporë.
Sa i përket veprimit të grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së në raport me ndryshimet kushtetuese, të cilët për momentin janë në procedurë kuvendore e njëjta është fryt e qëndrimit tonë paraprak se marrëveshjen nuk mund ta pranojmë, i cili ka qenë unanimisht i pranuar duke përfshirë edhe nga grupi i deputetëve, ndërsa me këtë rast duke e mbështetur në legjitimitetin e referendumit që u mbajt.
Dhe mund t’ju bind se nëse ka ndonjë informacion për kërcënime, shantazhe apo çfarëdo qoftë përpjekje për ndikim mbi vendimmarrjen e tyre dhe vendosjen e cilit do deputet, atëherë kjo është nga qarqet apo individë, që nuk janë pjesë e strukturave të partisë sime. Unë nuk pranoj mënyrë të këtillë të veprimit dhe e dënoj të njëjtin.
Në shumë raste e paralajmërova opinionin dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, të njëjtin e theksoj edhe sot, ky proces i është besuar një njeriu, që nuk është i sinqertë në qëllimin dhe premton gjëra që nuk mundet t’i plotësojë, me këtë rast bartësi i kësaj ideje është i përfshirë me dhjetëra afera, dyshime për krim dhe mungesë të çdo vullneti për pastrim me rastet e korrupsionit dhe sundimin e vërtetë të drejtësisë. Faktori kohë tregon se në të vërtetë rreziku më i madh për shkak të të cilin vendi hyn në krizë është pikërisht njeriu i parë i qeverisë.
Unë si mik i vendit tuaj, e respektoj angazhimin tuaj që të ndihmoni në procesin dhe si njeri që është arsimuar dhe ka punuar në shtetet e BE-së dhe tërësisht i ndan ato vlera perëndimore dua bashkërisht ta ndërtojmë të ardhmen e atdheut tim, duke u bazuar në parimet dhe sjelljes së sinqertë. Por gjithashtu jam person që beson fuqimisht në përfitimet themelore civilizuese të vetëpërcaktimit si maqedonas dhe vetemërimit të atdheut tim Republika e Maqedonisë”.