Mickoski dhe Nikollovski në takim me shefin e OSBE-së, Koja

21

Shkup, 19 tetor – Gjendja ekonomike në vend, korrupsioni, vërejtjet në Raportin e KE-së dhe puna e Kuvendit, ishin disa nga temat për të cilat u bisedua në takimin e sotëm të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski me Shefin e misionit të OSBE-së, Klemens Koja.

Në takim, Mickoski, siç informojnë nga VMRO-DPMNE, informoi për gjendjen në të cilën ndodhet shteti, posaçërisht treguesit shqetësues ekonomikë si kalimi i pragut të detyrimit mbi 60 për qind që është shkelje e kritereve të Mastrihtit, për rënien historike të BPV-së në vend, që arriti 12,7 për qind në tremujorin e dytë të vitit, si dhe rritjen e varfërisë dhe uljen e standardit jetësor të qytetarëve.

Në takim, në të cilin mori pjesë edhe nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, thuhet në kumtesë, u bisedua edhe për problemet aktuale të vendit me korrupsionin dhe krimin si dhe vërejtjet nga Raporti i KE-së.

Mickoski, qëndron në kumtesë, theksoi se pushteti nuk po arrin të përballet me krimin në vend, ndërsa me sistemin e dobët në jurisprudencë dhe korrupsionin në të njejtin, sjelljet kriminale të funksionarëve të caktuar nuk po ndëshkohen.

Në takim, Mickoski, gjithashtu, e informoi shefin e Misionit të OSBE-së në vend për gjendjen në Kuvendin e Maqedonisë, ku, siç thuhet në kumtesë, pushteti në tentim për ta rrënuar demokracinë, në mënyrë antikushtetuese kërkon të legjitimohet votimi i deputetëve të cilët nuk janë të pranishëm në Kuvend, si dhe  mospranimi i amandamenteve të opozitës të cilat janë para së gjithash kërkesa të qytetarëve në diskutimet rrjedhëse në Kuvend.