Një futbollist mund të zotërojë cilësi të veçanta në aspektin teknik, por nuk do të jetë kurrë një luftëtar nëse nuk vendos zemrën në atë çfarë bën. Gledi Mici është nga ata lojtarë që ka treguar me fakte se kudo ta hedhësh “bie në këmbë”, jo vetëm për aftësitë që zotëron, por edhe nga shpirti i luftëtarit që e ka evidentuar gjithnjë. Shkëndija e Tetovës ishte një bast i vështirë të cilin fieraku e pranoi dhe e fitoi pa i vjedhur asgjë askujt.
Jam i mjaft i kënaqur dhe kam përshtypjet më të mira nga Shkëndija e Tetovës. Që kur ika në fillim kisha dëgjuar fjalë mjaft të mira për atë klub dhe kur mora ofertën nuk hezitova. Firmosa direkt, pasi gjithë kohën kanë qenë korrekt me lojtarët.
Sezoni nuk nisi në mënyrë më të mirë për kuqezinjtë, arsyet, sipas Micit, ishin disa, por gjithsesi më pas skuadra mblodhi forcat dhe u vendos aty ku i takon në krye të renditjes. Objektivi primar i kampionëve në fuqi të Maqedonisë është qëndrimi në fron. Mbrojtësi beson jo vetëm tek triumfi në kampionat, por edhe tek një rrugëtim i gjatë në Europë.
E nisëm jo mirë kampionatin, shkuar deri në -7 pikë me rivalin e vendit të parë. Futbollit nuk i dihet asnjëherë, por unë kam 100% besim se titullin e merr Shkëndija. Gjithsesi duhet të jemi serioz çdo javë dhe ta fitojmë këtë titull.
Gledi Mici, që e ka ndërtuar karrierën në Shqipëri, evidenton ndryshimin mes Kategorisë Superiore dhe ligës maqedonase, teksa në mënyrë hipotetike tregon se ku do të renditej Shkëndija e Tetovës në kampionatin shqiptar.
Besoj se diferencat janë të pakta. Kampionati shqiptar është më i fortë fizikisht dhe skuadrat kanë tendencë të marrin rezultat dhe ta mbajnë portën zero. Kampionati maqedonas është më sulmues dhe ka lojtarë të rinj premtues. Besoj se Shkëndija do të ishte në vendin e parë në kampionatin tonë. Cilësia ka rënë, por kampionati mbetet i fortë. Kjo pasi nuk ka një skuadër që bën diferencën.
27-vjeçari nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj sezonit aktual të Kategorisë Superiore dhe Skënderbeut. Në krahasim me vitet e kaluara ka një ndryshim në cilësi.
Shumë skuadra janë dobësuar, nuk është më ai Skënderbeu që dominonte. Partizani është po ai ekip, kurse Kukësi është dobësuar. Ata nuk luajnë as në shtëpinë e tyre.
E ardhmja e Micit nuk parashikon një rikthim në Shqipëri, përkundrazi, objektivi shkon edhe përtej Shkëndijës së Tetovës. Përfaqësuesja mbetet një ëndërr për mbrojtësin e majtë, i cili shpreson që një ditë t’i ofrohet shansi për të veshur fanellën kuqezi.
Kombëtarja? Nuk më vjen keq, unë jam gati për kombëtaren sikur të më thërrasin edhe në 3 të natës. Kjo është ëndërr e çdo futbollisti. Thjesht pres mundësinë time. Nëse vjen do jem më i lumturi, nëse jo, jeta vazhdon