E lindur më 6 janar 1995 në Sierra Leone, emri i saj i parë ishte Mabinty Bangura. Familjen e saj, me origjinë myslimane, e humbi kur ishte ende fëmijë. Babai i saj u vra nga një grup revolucionarësh kur ajo ishte vetëm tre vjeç dhe nëna e saj vdiq nga uria pak kohë më vonë. Tre vëllezërit e motrat e saj gjithashtu vdiqën që fëmijë…
Disa histori meritojnë të tregohen dhe të tregohen përsëri e përsëri. Ashtu si ajo e Michaela DePrince, një kërcimtare klasike me famë botërore, por me një histori shumë të vështirë pas saj. Ajo e tregoi vetë historinë e saj në librin autobiografik “Tani unë mund të fluturoj”, një libër që preku shumë njerëz, përfshirë Madonën, e cila e shndërroi në një film. “Unë kam lindur në vitin 1995 në Sierra Leone, në mes të luftës. Në moshën katër vjeçare humba prindërit dhe daja zgjodhi të më linte në një jetimore. Për shkak të një sëmundjeje të lëkurës të quajtur Vitiligo më quajtën ‘Vajza e Djallit’ dhe isha shumë e trishtuar.
Një ditë era solli në derën e jetimores një revistë me foton e një balerine. Ajo dukej aq e lumtur sa i premtova vetes që një ditë do të bëhesha balerinë si ajo”, tregon Michaela DePrince.
E lindur më 6 janar 1995 në Sierra Leone, emri i saj i parë ishte Mabinty Bangura. Familjen e saj, me origjinë myslimane, e humbi kur ishte ende fëmijë. Babai i saj u vra nga një grup revolucionarësh kur ajo ishte vetëm tre vjeç dhe nëna e saj vdiq nga uria pak kohë më vonë. Tre vëllezërit e motrat e saj gjithashtu vdiqën që fëmijë. E lënë në një jetimore nga xhaxhai i saj, në vitin 1999 ajo u birësua bashkë me një fëmijë tjetër të quajtur Mia nga Elaine dhe Charles DePrince dhe fluturoi me ta në Shtetet e Bashkuara, për të filluar një jetë të re në Cherry Hill, New Jersey. “Pasi u transferova në Shtetet e Bashkuara, nëna ime më regjistroi në një shkollë kërcimi për të më ndihmuar të bëja realitet ëndrrën time. Tani jam kërcimtare e Baletit Kombëtar Holandez. Në vitin 2014, 15 vjet pas birësimit tim, nëna ime dhe unë shkruam historinë time së bashku. Personat për të cilët flas në libër kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën time.
Edhe pse baleti është pasioni dhe ëndrra ime, nuk është plotësisht e vërtetë të them se më shpëtoi jetën, pa përmendur njerëzit që më ndihmuan ta shpëtoj këtë jetë. Disa nga këta njerëz i kam dashur, të tjerët i kam urryer. Por po të mos ishin ata, unë nuk do të isha gjallë dhe nuk do të isha as kërcimtare.
Së pari duhet të kujtoj nënën time afrikane, e cila më donte aq shumë sa më la ushqimin e saj kur vuanim nga uria. Pastaj ishte xhaxhai im i keq Abdullah. Edhe pse më urrente, ai ndjeu mjaft përgjegjësi që më mirë të më linte në një jetimore sesa të më shiste si punëtore skllave në një fermë kakaoje, ose të më linte në rrugë e të vdisja nga uria. Prindërit e mi amerikanë ia kanë kushtuar jetën fëmijëve të tyre. Falë dashurisë së tyre mësova të jetoj në Amerikë. Dhe kur mamaja mësoi për pasionin tim baletin, e bindi babanë që të më ndihmonte. Falë kohës së tyre, energjisë dhe kursimeve të tyre, ëndrra ime është realizuar.
Ata më inkurajuan dhe më mbështetën gjatë viteve të vështira të karrierës sime”, tregon Michaela. Jeta e re në Shtetet e Bashkuara nuk ishte as aq e thjeshtë. Michaela në fakt ka treguar se sa e vështirë ishte për një vajzë me ngjyrë të dilte në skenë e të kërcente. Vetëm kohët e fundit ajo ka filluar të mos ndihet më e diskriminuar si kërcimtare.
Në moshën 8-vjeçare, me një bursë në shkollën e Teatrit Amerikan të Baletit, i thanë se ajo nuk mund të kërcente kurrë në veprën “Arrëthyesi” dhe se prindërit e saj po shpërdoronin paratë kot. Megjithatë, drejtori i Baletit Kombëtar Holandez besoi tek ajo dhe tek guximi i saj. “Regjisori Brandsen më lejoi të vishja geta kafe në rolet klasike, duke ditur se çorapet e zakonshme rozë janë krijuar për të zgjatur trupat e balerinëve të bardhë, por për të prerë në mes ato të balerinëve me ngjyrë. Gjithashtu në Londër, ku kërceva rolin e Myrtha tek Xhisiela në Baletin Kombëtar Anglez, regjisorja Tamara Rojo më lejoi çorape dhe këpucë të errëta. Në internet në disa postime më kanë kritikuar për këtë, por vetëm nëse kemi kërcimtarë të mirë me ngjyrë në role të spikatura, do të thyejmë paragjykimet”, thotë sot ajo si një mesazh për botën e artit.