Shkup, 21 nëntor -VMRO-DPMNE ka pritur mendim negativ nga Qeveria për propozim-ligjin e tyre për amnisti. Vlerësojnë se ky është skenar i përgatitur nga pushteti që ta vazhdojë agonin e personave të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit. Partia mbetet në qëndrimin se nuk do të marrë pjesë në punën e trupit koordinues për pajtim, por thonë, nëse kjo ofron zgjidhje për drejtësi jo selektive do ta mbështesin. Nga VMRO-DPMNE vlerësojnë se ka hapësirë përmes debatit me pushtetin të përmirësohet zgjidhja për amnisti për të cilën Qeveria dje ka dhënë mendim negativ.
“Ne kemi pritur se do të ketë zhvillim të këtillë të ngjarjeve për arsye se edhe vetë ligji në momentin kur e parashtruam në pajtim me Rregulloren nuk u vendos në seancën e parë gjegjësisht u refuzua nga ana e shumicës. Kështu që tërë kjo çon drejtë një konkluzioni se e gjithë kjo farsë që po bëhet dhe mosdhënia mbështetje për prezantimin e ligjit për amnisti është skenar i përgatitur për vetëm një arsye të vazhdojë agonia e të gjithë personave të përfshirë në proceset e 27 prillit”, deklaroi në Kuvend koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski.
Ai shton se nëse shumica dëshiron ka mundësi përmes debatit me amendamente të caktuara ta përmirësojë zgjidhjen që e propozon VMRO-DPMNE.
Dje Qeveria ka dhënë mendim negativ në propozim-ligjin për amnisti për të gjithë të dyshuarit, të akuzuarit dhe të dënuarit për 27 prillin, e propozuar nga VMRO-DPMNE. Për këtë propozim ligj do të debatohet në seancë kuvendore. Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska theksoi se ligji që është në procedurë kuvendore me propozim të deputetëve të VMRO-DPMNE-së është ligj që është gjithëpërfshirës, jep çdo lloj amnistie, dhe Qeveria vlerëson se kjo nuk është rruga e vërtetë për zgjidhjen e kësaj çështje.