Qeveria e Mianmarit nuk lejon aktivitetet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe organizatave të tjera humanitare ndërkombëtare në rajonet që po sulmohen nga ushtria dhe budistët radikalë në veri të shtetit të Arakanit. Sipas një artikulli të gazetës The Guardian, qeveria e Mianmarit është duke penguar aktivitetet e të gjitha organizatave humanitare të OKB-së dhe 16 organizatave të tjera ndërkombëtare. Në deklaratën e Zyrës Koordinative të Vendosur të OKB-së në Mianmar për gazetën, në rajonet në fjalë janë pezulluar ndihmat jetike siç janë ushqimi, uji dhe pajisjet mjekësore. “Situata e sigurisë këtu dhe vizitat e qeverisë në terren e kanë pamundësuar shpërndarjen e ndihmave”, thuhet në deklaratë. Sipas deklaratës, shpërndarja e ndihmave humanitare që nga fillimi i sulmeve më 25 gusht ka qenë e pamundur edhe në kampet ku jetojnë mbi 100 mijë muslimanë të Arakanit të dëbuar nga shtëpitë e tyre. “OKB është në kontakt me autoritetet në mënyrë që sa më parë të rifillojnë aktivitetet e shpërndarjes së ndihmave humanitare”, theksohet në deklaratë. Ndërkaq, në deklaratë thuhet se ndihmat janë duke vazhduar në zonat e tjera të Arakanit. Nga ana tjetër, Pierre Peron, Zëdhënësi i Zyrës Koordinative të OKB-së për Çështje Humanitare në Mianmar, ka deklaruar se organizatat humanitare janë të shqetësuara për fatin e mijëra njerëzve të prekur nga dhuna që vazhdon në veri të Arakanit. Ai ka shtuar se është nevojë urgjente vendosja e sigurisë për civilët në rajon dhe shpërndarja e sigurt e ndihmave humanitare. “Sa më parë duhet të merren masa që të vazhdojë shpërndarja e ndihmave humanitare për të mirën e të gjithë civilëve në Arakan që gjenden në situatë pa rrugëdalje”, është shprehur Peron. Po ashtu, siç theksohet, Kimisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë (UNHCR), Fondi i Popullsisë i OKB-së (UNFPA) dhe Fondi Emergjent për Fëmijët i OKB-së (UNICEF) prej më shumë se një javësh e kanë të pamundurit të zhvillojnë aktivitete në terren në veri të Arakanit dhe se kjo gjendje paraqet rrezik të madh për njerëzit në këtë rajon. Nga ana tjetër, edhe organizatat e tjera humanitare ndërkombëtare, si Oxfam dhe Save the Children, kanë njoftuar se janë detyruar t’i ndërpresin aktivitetet në rajon për shkak të moslejimit nga qeveria e Mianmarit për hyrje në “zonat konfliktuale”. Zyrtarët e Programit Botëror të Ushqimit (WFP) dy ditë më parë deklaruan për AA se kanë pezulluar aktivitet me ndihma ushqimore në Arakan për shkaqe sigurie.