Shkup, 1 dhjetor – Ministria e Financave në profilin e saj publikoi se janë miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Bankën e Maqedonisë, me çfarë mundësohet zbatim i skenës garantuese shtetërore e cila është pjesë e pakos së katërt të masave antikrizë dhe Strategjisë për rimëkëmbje dhe rritje të përshpejtuar ekonomike – #SmartERGrowth, si dhe mundësinë që Banka Zhvillimore të formojë fonde për mbështetje të zhvillimit të ekonomisë.
Siç theksojnë nga Ministria, skema garantuese shtetërore do të realizohet përmes formimit të fondit garantues në suaza të Bankës Zhvillimore, e cila do të lëshojë garanci për kredi për biznese te bankat komerciale. Mjete fillestare për fondin janë 10 milionë euro, të cilat janë siguruar me ribalancin e dytë të buxhetit dhe me to do të garantohen kredi në vlerë disa herë më të larta se fondi.
Me këto ndryshime ligjore, siç theksojnë nga Ministria, lehtësohet qasja deri te kreditë për kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme, mbështetet sektori privat me ndërmarrjen e një pjese të rrezikut kreditor, përmirësohen kushtet për kolateral për kreditë nga bankat afariste atyre kompanive që kanë nevojë për financim shtesë dhe sigurim financiar dhe lehtësohet qasja deri te kapitali dhe financimi i projekteve përmes fondeve zhvillimore.
“Skema garantuese shtetërore dhe fondet do të luajnë rol të rëndësishëm për vendosjen e likuiditetit në ekonomi gjatë krizës me Kovid-19, por edhe në afat të mesëm, si mekanizëm i përhershëm për qasje deri te kapitali për kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme që njëherësh do të kontribuojë për rritje të inkulzuonit financiar në këto kompani”, thekson Ministria në statusin në Fejsbuk.