Shkup, 19 maj – Këtë vit, Republika e Maqedonisë së Veriut është më e mira në rajon për sa i përket rekomandimeve të Komisionit Evropian të Programit për reforma ekonomike për periudhën nga maji i vitit 2019 deri në janar të vitit 2020, të cilat i referohen masave të reformës për të forcuar stabilitetin financiar dhe krijimin e vendeve të punës. Komisioni Evropian gjithashtu ka vlerësuar politikat tona për menaxhim me krizën e Kovid-19, vlerëson Ministria e Financave (MF).
Sot, njoftojnë nga ky dikaster, ministrja e Financave, Nina Angellovska dhe guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, morën pjesë në Dialogun e rregullt vjetor ekonomik dhe financiar mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, që u realizua onlajn. Për tre vitet e fundit, Republika e Maqedonisë së Veriut ka qenë ndër vendet e para në rajon që ka zbatuar masa ekonomike në përputhje me rekomandimet e dhëna nga Komisioni Evropian në kuadër të Dialogut ekonomik dhe financiar.
Ministrja e Financave, Angellovska, e cila koordinon procesin e përgatitjes së masave ekonomike në Programin, theksoi se ka përparim relativisht të mirë në masat. Për disa, zbatimi është në nivel më të lartë, disa janë masa më afatgjate dhe duhet të zbatohen për periudhë më të gjatë kohore. Ekziston zbatim i mirë në reforma në drejtim të mbrojtjes sociale, si dhe zbatimi i masës për garantimin e të rinjve. Gjithashtu bëhen përpjekje për të trajtuar problemin më të hidhur, ekonominë gri, për të cilën Ministria e Financave ka hartuar plan veprimi.
Banka Popullore, thonë nga Ministria e Financave, është e përfshirë drejtpërdrejtë në zbatimin e disa rekomandimeve të vitit të kaluar të Programit për reforma ekonomike të cilat kryesisht kanë për qëllim forcimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar. Guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska thekson se vlerësimi i institucioneve të BE-së për zbatimin e këtyre rekomandimeve tregon nivel të konsiderueshëm të zbatimit dhe është një nga dy vlerësimet më të larta për zbatimin e gjashtë grupeve të rekomandimeve, i cili kontribuon drejtpërdrejtë në rezultatin e përgjithshëm të vendit tonë. Zbatimi i këtyre rekomandimeve, siç vërehet, pasqyron përkushtimin e Bankës Popullore për të përmbyllur reformat.
Në kuadër të Dialogut ekonomik dhe financiar, u theksua qartë arritja e suksesshme e qëllimeve monetare dhe hapësirës që Banka Popullore e ndërton vazhdimisht dhe që i mundësoi që të reagojë shpejt për të lehtësuar efektet e krizës së Kovid-19.