Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka dhënë sqarim për mesazhin të cilin e kanë pranuar disa nga qytetarët që janë përfitues të masës 15.
Bajrami ka thënë se ky gabim ka ndodhur pasi që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka dërguar listën jo të saktë në Ministrinë e Financave.
“Ky gabim ka ndodhur pasi Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përgjegjëse për masën 15 të Pakos Emergjente, ka dërguar listën jo të saktë në Ministrinë e Financave. Pasi janë dërguar mesazhet telefonike, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale na ka njoftuar se ka dërguar listën e gabuar. Menjëherë është përmirësuar ky gabim dhe secilit qytetar i është dërguar edhe mesazhi sqaruar dhe kërkim falja”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.
Bajrami tha se do të kërkohet llogaridhënie prej secilit person që ka qenë i përfshirë për këtë lëshim.
“Edhe tash kërkoj falje secilit qytetar dhe ju njoftoj se kam kërkuar përgjegjësi hierarkike dhe politike për këtë lëshim. Do të ketë llogaridhënie prej secilit person të përfshirë në këtë rast. Kam kërkuar edhe përgjegjësi politike dhe për këtë problem është njoftuar edhe Kryeministri Hoti”, ka theksuar Bajrami.