Evis HALILI
Shkup, 28 shtator – Në institucionet për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë numri i vendeve bosh të punës është më i madh se në çdo institucion tjetër të kulturës, shkruan gazeta KOHA. Restaurues, konservues…, e të tjerë janë disa prej profileve që mungojnë jo vetëm në entet e mbrojtjes lokale, por edhe në Qendrën Nacionale të Konservimit. Sipas të dhënave nga ky institucion për momentin numri i vendeve bosh ka arritur në 60, ndërsa i ekspertëve në dispozicion jashtëzakonisht i vogël. Drejtori Mehmet Selmani pohon se kjo situatë komplikon jo vetëm punën e atyre pak profesionistëve që kanë mbetur, por edhe po rrezikon gjendjen fizike të shumë monumenteve të kulturës. “Jo vetëm që stafi profesional është reduktuar në numër, por në kontuinitet ballafaqohemi me probleme nga më të paimagjinueshmet, për punësime, për marrjen e një leje, për sigurimin e të hollave për hartimin e një projekti. Vazhdimisht varemi dhe jemi peng ose i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë që kërkesat i realizon në formë selektive, apo edhe nga vetë Ligji i Kulturës, i cili duhet ndryshuar urgjentisht. Qendra duhet të funksionojë si një institucion me staf të plotë profesional, por edhe me një fond që duhet t’i akordohet për të hartuar dhe realizuar projektet. Duke pritur përfundimin e fazave objektet shkatërrohen, duke ngarkuar me punë ato pak ekspertë ne nuk e kemi luksin për t’i trajnuar dhe njohur me mënyrat më bashkëkohore të restaurimeve dhe konservimeve”, thotë për KOHA Mehmeti. Situatën kontradiktore të krijuar me neglizhencën për punësime dhe çeljen e enteve të mbrojtjes në më shumë qytete nga njëra anë, dhe inicimin e një sërë projekteve dhe ekspeditave në sferën e trashëgimisë dhe miliona të harxhuara në vite për një sërë projektesh kapitale nuk e sqaron as ish drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë, Viktor Lilçiq.
“Është dashur që jo vetëm të kompletohen të gjitha këto institucione me ekspertë, por edhe në cdo komunë të kishte ente, të paktën edhe arkeologë. E di që punonjësit janë të ngarkuar së tepërmi dhe punojnë në presion të madh. Por kjo është situata e cila duhet ndryshuar. Ndoshta jemi këtu ku jemi se politikanët, apo edhe ato të pushtetit lokal nuk besojnë as në të ardhurat që do të sillte turizmi arkeologjik”, thotë Lilçiq. Punonjësit e sferës së mbrojtjes së trashëgimisë kanë qenë të privuar jo vetëm nga rritja e rrogave, ashtu si ka ndodhur me artistët e skenës, por edhe nga benifitet nga stazhi i punës dhe titujt. Në Ministrinë e Kulturës nga ku është kërkuar që ndryshimet në Ligjin e kulturës të përfshijnë edhe masat stimuluese për ekspertët e kësaj fushe dhe trajtimin dhe benifitet e njëjta financiare edhe me artistë dhe punonjësit e tjerë të kulturës.
“Në këtë situatë trashëgimia kulturore është e rrezikuar dyfish, si me autorizimin e personave që nuk janë profesionistë për të kryer punë të posaçme, ashtu edhe me demotivimin për punën e kuadrove profesionistë, të cilëve iu duhen të paktën 10 vjet që të specializohen që t’ju lejohet aktiviteti i pavarur në sferën e trashëgimisë”, konstatohet në analizën për situatën në institucione.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.