Në vitin 1986 , zyrtarët meksikan shpallën 21 masa të ndryshme për të trajtuar krizën e ndotjes së ajrit. Në këtë kohë, gazi natyror filloi të zëvendësonte naftën në industrinë dhe në prodhimin e energjisë termoelektrike në Luginën e Meksikë, ndërsa pushteti lokal po ashtu filloi të regjistrojnë në mënyrë sistematike cilësinë e ajrit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 dhjetor -Alarmet e kuqe, orë policore dhe krizat shëndetësore ishin rrjedhojat e ajrit tejet të ndotur për banorët e Mexico City në vitet ’80 dhe ’90. Para më shumë se 30 vitesh , plumbi, karboni apo squfuri ishin aq të përhapur në atmosferë, saqë thuhej se zogjtë binin nga qielli. Bile në vitin 1992, Kombet e Bashkuara raportuan se Mexico Cityqë gjendet në lartësi mbidetare prej 2300 metra, dhe banohet nga më shumë se 20 milion banorë, ishte qyteti më i ndotur në botë. Duke i faleminderuar një sërë programesh gjithëpërfshirëse, të quajtur “ ProAire”, apo Programi për përmirësimin e ajrit, në dy dekadat e fundit, një nga qytetet më të mëdha në botë, që vuan nga ndotja e ajrit, ka shënuar zvogëlim mbresëlënës të ndotjes ajrit , si dhe të emetimeve të CO2. Përgjatë periudhës 1989-2012 , në këtë qytet janë zvogëluar për 79 për qind koncentrimi i dioksidit karbonit, për 89 për qind të squfur dioksidit, për 66 për qind të grimcave të rrezikshme PM10, për 10 për qind të grimcave PM25, për 97 për qind të plumbit, etj
Strategjia e projektit “ProAire”
Kryeqyteti meksikan ka treguar përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj programeve të saj “ProAire”, të cilat janë bërë gjithnjë e më gjithëpërfshirëse dhe ambicioze. Këtë e tregon studimi “Analiza historike e benefiteve shëndetësore të popullatës lidhur me cilësinë e ajrit në Mexico Cityndërmjet 1990 dhe 2015”, i përgatitur nga Shkolla Publike e Harvardit dhe Ministria meksikane e ambientit jetësor. Paketa “ProAire”, e reformave arriti të sillte ndotjen e ajrit të Mexico City nga rejtingu shumë i lartë prej 300 në Indeksin e Ajrit Metropolitan të cilësisë së ajrit (Imeca) në vitet ’80, në mesataret e viteve të fundit , më të ulëta se 150.
Në vitin 1986 , zyrtarët meksikan shpallën 21 masa të ndryshme për të trajtuar krizën e ndotjes së ajrit. Në këtë kohë, gazi natyror filloi të zëvendësonte naftën në industrinë dhe në prodhimin e energjisë termoelektrike në Luginën e Meksikë, ndërsa pushteti lokal po ashtu filloi të regjistrojnë në mënyrë sistematike cilësinë e ajrit. Vendosja e konvertorëve katalitik dhe benzinës pa hekur për uljen e emetimit të gazrave, kontrollet dy vjeçare të emetimit të gazrave të veturave, si dhe ndjekja me kujdes dhe dënimet e rrepta për ato që nuk respektojnë masat, janë vetëm një pjesë e strategjisë së projektit “ProAire”. Në të ardhmen pritet edhe pyllëzimet e reja, vetura elektrike dhe masa të reja. “ Pavarësisht sukseseve tona, nuk është e mundur të kopjohen në mënyrë të drejtpërdrejtë përvojat e Meksikës, për shkak se secili qytet ka kushtet e tij të veçanta. Megjithatë, tani teknologjitë tani janë shumë më efikase , andaj mund të përmirësohen masat e vjetra .Pasi qytetet kanë identifikuar problemet e tyre unike, elementet kryesore të suksesit janë përpilimi i një baze të dhënash të besueshme si dhe vendosja e një strategjie afat shkurte, mesme dhe e gjatë j. “ thotë Ana Martinez, drejtor i përgjithshëm i Programit për menaxhimin e cilësisë së ajrit, regjistrimin e emisioneve dhe transparencën mbi ndotësit e ajrit . Sipas saj, nevojitet të analizohen me kujdes karakteristikat e komunave të ndryshme, veçanërisht burimet e ndotjes.
Cilat masa i përdori kryeqyteti i Baskisë, Vitoria?
Nga ana tjetër, Marta Delago Peralta, ish sekretarja e mbrojtjes së mjedisit të Meksiko Siti thotë se janë ndërmarrë më shumë masa siç janë zhvendosja e fabrikave që lëshojnë gazra të dëmshëm si rafineria jashtë qytetit, automjetet duhet të qëndrojnë në parking një herë në javë, urbanistët janë përkujdesur për përmirësimin e transportit urban etj
“ Tek ne para 20 vitesh , ajri ishte aq i keq saqë shpendët e ngordhura kanë rënë në rrugë. Andaj si tek popullata, por edhe tek udhëheqësia e qytetit u imponua nevoja e ndryshimeve që filloi me reformat afatgjate. Megjithatë kjo paraqet një luftë të vazhdueshme për shkak se na mbeten edhe 100 ditë gjatë së cilave , ajri mund të jetë më i mirë “, thekson ajo.
Sipas saj, megjithëse qyteti ka shënuar përparim të caktuar, akoma mbetet një rrugë e gjatë për të ecur më tej në luftën për një ajër edhe më të pastër, apo me fjalë të tjera angazhimi për një ajër të pastër mbetet objektiv edhe në të ardhmen.
Në Evropë , cilësia e ajrit është përmirësuar pasi BE në vitet 70-të vendosi vlerat kufitare për emetimin e materieve të ndryshme të dëmshme. Vetëm emetimi i squfur dioksidit në Evropë është ulur për afër 55 për qind. Shembull i mirë i luftës kundër ajrit të ndotur, është kryeqyteti i Baskisë , Vitoria të cilin Komisioni Evropian e shpalli në vitin 2012 për “qytetin më të gjelbër në Evropë”. Pushtetet lokale në këtë krahinë të Spanjës e ndaluan industrinë në qytet , përmirësuan transportin publik, si dhe shtigjet për këmbësorë dhe çiklistë, ndërsa 65 për qind e amvisërive ngrohen me gaz.
“ Përmirësimi i cilësisë së ajrit është rezultat i angazhimeve të përbashkëta të autoriteteve që udhëheqin qytetin, industrisë dhe banorëve”, thotë kryetari i Vitorias, Maroto Aranzabal. Ai shton se nuk ekziston rrugë tjetër për të arritur sukses.
Plani për ajër të pastër në Maqedoni
Për dy vjet pritet që ndotja e ajrit në Shkup të zvogëlohet për 50 qind, ndërsa në qytetet e tjera ndërmjet 30 dhe 50 për qind, ndërsa parashikohet që asnjë amvisëri të mos ngrohet me qymyr , naftë apo koks. Kjo parashikohet me programin qeveritar dyvjeçar” Plan për ajër të pastër” që pritet të jetë prioritet strategjik për vitin 2019. Për herë të parë janë siguruar edhe fond i veçantë buxhetor për aktivitetet fillestare prej afër 1.5 milion euro, ndërsa në disponim janë edhe afër 20 milion euro nga buxhetet e disa ministrive të tjera. Për përkrahjen e planit do të ketë përkrahje edhe nga organizatat ndërkombëtare financiare për çka në fund të vitit do të organizohet edhe konferencë donatore.
Sipas zëvendës ministrit të Ambientit Jetësor, Jani Makraduli, ndotës numër një dhe dy , janë ngrohja e amvisërive dhe transporti, andaj do të fillohet me ndryshimin e sistemit të ngrohjes në entet publike si çerdhet dhe shkollat. Masa do të ketë edhe në segmentet e tjera që ndërlidhen me mbrojtjen e mjedisit jetësor si industria, urbanizimi, ndërtimtaria , stimulimi i ndërtimit të hapësirave të gjelbërta, menaxhimi dhe trajtimi i mbeturinave, inspeksionet. Do të përforcohet edhe monitorimi, ndërsa në fillim të vitit 2019 do të blihen tërësisht instrumente të reja për të gjithë 18 stacionet ekzistuese të matjes së cilësisë së ajrit.
“Parimi kryesor për realizimin e programit strategjik është menaxhimi me burimet e ndotjes .Në “Planin për ajër të pastër”,ekzistojnë disa komponenta me prioritet si monitorimi, inspeksionet, fushatat publike, ndryshimet ligjore dhe menaxhimi me burimet e ndotjes si ngrohja e amvisërive, transporti, industria, ndërtimtaria, gjelbërimi urban dhe mbeturinat”, thotë Makraduli. Sipas tij plani është ambicioz , por i realizueshëm për shkak se qëllimet mbështeten në shifra reale dhe masa.
Ai pret që pas këtij plani dy vjeçar që 10 mijë amvisëri të kyçen në ngrohjen ekzistuese qendrore, që do të mbështetet edhe uljen e TVSH-së për ngrohje prej 18 në 5 për qind. Pritet që 20 mijë amvisëri të ndryshojnë koftorët e vjetër jo-ekologjik me dru, 15 mijë amvisëri të përmirësojnë efikasitetin energjetik, 3000 amvisëri të kyçen në gaz, 20 mijë amvisëri të shfrytëzojnë klima me inverter, ndërsa 2000 amvisëri nga kategoritë e prekshme sociale do të subvencionohen të ndryshojnë mënyrën e ngrohjes. Shteti do të jetë shembull ku aktivitete e para do të fillojnë me ndryshimin e burimeve jo ekologjike të ngrohjes në institucionet publike si çerdhet,shkollat dhe shtëpitë e shëndetit.
Në pjesën e transportit do të vendoset regjim dimëror i trafikut në ditët kur ndotja është më e lartë apo do të ketë trafik të kontrolluar në qendër të qytetit me zgjidhje alternative. Me fjalë të tjera do të vendosen ngjitëse ekologjike tek veturat. Do të miratohet edhe ligj për emetimet industriale, ku do ketë rregulla më të ashpra të miratimit të lejeve të integruara ekologjike, do të ketë monitorim më transparent dhe përforcim të kontrolleve të punëve ndërtimore. Do të vendoset turni i dytë i shërbimeve të inspeksionit , ndërsa kontrollet e inspeksionit nuk do të ndahen sipas kompetencave, por sipas aksioneve.