Në fillim të vitit 1935, ndodhën trazira të shumta brenda organeve të Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, të cilat erdhën si rrjedhojë të kërkesave të vazhdueshme të krahut opozitar shqiptar, që me këtë bashkësi të udhëheqin vendorët, përkatësisht shqiptarët, e jo klika serbomadhe e instaluar nga Bosnja e Hercegovina
Nga Qerim LITA
Pas skandalit të fundit në kreun e BFI-së së Maqedonisë, i cili tronditi thellë shpirtrat e besimtarit të devotshëm shqiptar-myslimanë, e pashë të arsyeshme që për lexuesit e gazetës shqiptare KOHA – Shkup dhe jo vetëm, në disa vazhdime të bëjmë një përshkrim kronologjik për pozitën dhe veprimtarinë e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit midis dy luftërave botërore. Siç do të shihni, theks të veçantë u kam kushtuar zgjedhjeve të para të lira që kjo bashkësi i mbajti në vitin 1937 me çka në krye të saj erdhën atdhetarët e shquar kombëtar e fetarë shqiptarë, të cilët për tre vjet sa qëndruan në krye të asaj bashkësie, lanë gjurmë në historiografinë shqiptare. Besoj se ky punim studimor do të ndikoj tek popullsia shqiptare myslimane në përgjithësi, e te hoxhallarët në veçanti, që në krye të kësaj bashkësie të mos vijnë njerëz të korruptuar (siç janë tani), të pamoralshëm e të cilët si qëllim parësor nuk e kanë mbrojtjen e interesit të Islamit, por pasurimin e tyre personal. Kjo u pa në mbledhjen e fundit, ku ata të cilët e shkarkuan kryetarin e mëparshëm, deri dje ishin mbështetësit më të mëdhenj të të parit të tyre.
ORGANIZIMI I BASHKËSISË FETARE ISLAME 1919-1930
Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore dhe krijimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (SKS), u formuan dy organizata të komunitetit mysliman: Bashkësia Fetare Islame e Bosnjës e Hercegovinës, e cila pati një autonomi të plotë që buronte nga Kushtetuta e sjell që nga koha e Perandorisë së Austro-Hungarisë. Qendra e saj ishte Sarajevë ndërsa me të udhëhiqte Reis-ul-Ulemaja; dhe, Myftinia Supreme, në kuadër të së cilës përfshihej komuniteti mysliman i Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Sanxhakut. Qendra e saj ishte Beogradi ndërsa me të udhëhiqte kryemyftiu, i cili njihej si myftiu suprem. Për dallim nga BFI-ja e Bonjës e Hercegovinës, Myftinia Supreme, ishte nën varësi të plotë të Qeverisë së SKS-së, përkatësisht të Ministrisë për Fe. Veprimtaria e saj mbështetej mbi një Rregullore të miratuar gjatë vitit 1919, e cila në vitin 1920 kaloi në Ligj. Sipas dispozitve të asaj rregulloreje, i tërë pushteti ishte koncentruar tek kryemyftiu, dhe myftitë e qarqeve e të rretheve të cilët emëroheshin nga ana e ministrit për Fe. Në krye të këtyre institucioneve u emëruan njerëz më të besuar të pushtetit, siç ishin Hasan Rebac, udhëheqës i Dhomës Myslimane e cila funksiononte në kuadër të ministrisë, Mehmet Zeki, kryemyfti dhe Mustafa Kulenoviq sekretar i Ministrisë Supreme etj.
Në fakt, e tërë struktura udhëheqëse, përfshi këtu edhe myftitë e qarqeve e të rretheve përbënin elementin më të besueshëm të pushtetit dhe si të tillë atyre, krahas organizimit fetar u qe besuar edhe menaxhimi, përkatësisht administrimi i pasurisë vakëfnore. Pikërisht, mënyra e këtillë e organizimit fetar solli deri te uzurpimi dhe plaçkitja e pakontrolluar e pronës vakëfnore. Dokumentet e kohës hedhin dritë se gjatë periudhës kohore tetor 1918 – maj 1925, shumë objekte vakëfnore, si xhamia, hane, medrese, dyqane, tokë bujqësore, pyje etj., qenë uzurpuar nga ana e njësive ushtarake, policore si dhe nga zyrtar e nëpunës të ndryshëm civil serb të cilët pushteti qendror në Beograd i kishte dërguar në tokat e pushtuara shqiptare të udhëheqin me pushtetin lokal. Më 11 maj të vitit 1922, këshilli i Vakëfit të teqesë Arabati në Tetovë, njoftonte Ministrinë për Fe në Beograd, se kolonistët malazez në fshatin Bërvenicë, rrethina e Tetovës, e kanë konfiskuar “tërë tokën në çifligun e teqesë Arabati” me sipërfaqe prej më shumë se 1.000 hektarë, e cila shtrihej në distriktin e këtij fshati dhe se pas kërcënimeve mirëmbajtësit e çifligut ishin detyruar të ikin.
Uzurpime të pronësisë vakëfnore pati edhe në qendrat tjera, siç ishte rasti me vakëfit e shumta e të pasura të Shkupit, si p.sh. vakëfet e Mustafa Pashës, Ibni Pajkos, Isa Beut, Faik Pashës, Sulltan Muratit, vakëfi i haxhi Sulejmanit në Manastir, pastaj uzurpimi i tre xhamive të njohura në Ohër: “Haxhi Kasami”, “Imaret” dhe “Durgut” nga ana e Kishës Ortodokse serbe të këtij qarku e shumë vakëfe tjera. Tërë kjo binte ndesh me Marrëveshjen e “Shën Gjermenit”, të cilën Qeveria e SKS-së e kishte nënshkruar më 10 shtator të vitit 1919. Në nenin10 të Marrëveshjes thuhej: “Qeveria e SKS-së obligohet të lejoj mbrojtje të plotë të xhamive myslimane, të gjitha lehtësimet dhe lejet, të pronës fetare (Vakëfit) ose organizatave bamirëse myslimane që ekzistojnë. Qeveria e SKS-së nuk do të refuzoj asnjë nevojë për lehtësimin e krijimit të organizatave fetare dhe bamirëse të cilat janë të siguruara me organizatat të atij lloji”.
Ndërkohë, me sjelljen e Planit Rregullativ për Qytetin e Shkupit, i cili qe miratuar nga ministri i Ndërtimtarisë me vendimin nr. 36994 të datës 30 nëntor 1922, autoritetet ushtarake serbe në kuadër të Armatës së III, në qershor të vitit 1925 rrënuan xhaminë Burmali, që ndryshe njihej si “Bukuroshja e Shkupit” që gjendej në anën e djathtë të Vardarit, përkatësisht në sheshin e qytetit, dhe në vend të saj u ndërtua Shtëpia e Armatës.
THEMELIMI I MEXHLISIUT TË ULEMASË SË SHKUPIT
Gjatë vitit 1930, erdhi deri te bashkimi i BFI-së në Mbretërinë Jugosllave, përkatësisht nga dy organizata sa ekzistonin deri në atë periudhë u krijua një udhëheqje e përbashkët, që ndryshe quhej Udhëheqja Supreme e BFI-së, selia e së cilës kaloi në Beograd. Në kuadër të saj u formuan dy mexhlise të ulemasë me të drejta dhe kompetenca të barabarta: Mexhlisi i Ulemasë së Shkupit dhe Mexhlisi i Ulemasë së Sarajevës, që përbëheshin prej tre anëtarëve. Udhëheqjen Supreme e përfaqësonte Reis-ul-Ulemaja, ndërsa Mexhlisin e Ulemasë kryetari. Zgjedhja e Reis-ul-Ulemasë kryhej nga Bordi të cilin e përbënin: të gjithë anëtarët e Mexhlisit të Ulemasë në Sarajevë dhe Shkup; të gjithë myftitë; të gjithë anëtarët e Gjyqit Suprem të Sherijatit, Gjimnazit të Sherijatit në Sarajevë dhe Medresesë së Madhe Kral Aleksandri i I në Shkup; referenti i Fesë Islame pranë Ministrisë së Ushtrisë dhe Marinës; ministrat aktiv. Edhe zgjedhja e anëtarëve të Mexhlisit të Ulemasë ishte identike, përkatësisht nga Bordi i cili përbëhej prej: Reis-ul-Ulemaja, myftitë nga territori e Mexhlisit të Ulemasë; anëtarët e Gjyqit Suprem të Sherijatit në të cilin territor ishte selia e Mexhlisit të Ulemasë. Në kuadër të Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit funksiononin Kuvendi Mearif i Vakëfit, i cili për detyrë pati ta mbikëqyrë tërë pasurinë e tundshme dhe të patundshme brenda territorit të vet, zgjedhja e të cilit ishte identike sikurse edhe dy institucionet e më larta. Në kuadër të Kuvendit Mearif të Vakëfit emëroj Drejtori i Vakëfit si dhe Këshilli Drejtues i Kuvendit Mearif të Vakëfit. Emërimi i tyre bëhej nga ana e pushtetit edhe atë nga vetë ministri i Drejtësisë. Ndërsa Këshilli Drejtues bënte emërimin e anëtarëve të këtij organi nëpër rrethe.
Një mënyrë e tillë e funksionimit të BFI-së, i garantonte pushtetit serb-madh që përmes këtij institucioni edhe më tej ta mbante nën kontroll të plotë tërë popullsinë myslimane, në radhë të parë atë shqiptare. Burimet arkivore ofrojnë të dhëna të thukta për keqpërdorimet e shumta që struktura udhëheqëse e kësaj organizate në Shkup kryente ndaj pasurisë vakëfnore. Sa për ilustrim po i referohemi procesverbalit nga mbledhja e dhjetë e Kuvendit Mearif të Vakëfit në Shkup, punimet e së cilës u zhvilluan më 30 maj 1933, në të cilën është diskutuar për projekt-buxhetin e vitit 1933/34 ku thuhet se të hyrat nga pasuria vakëfnore vitin e kaluar kanë rënë për 50%, në krahasim me një vit më parë. Si shembull merren të hyrat e vakëfeve të Shkupit, që gjatë vitit buxhetor 1932/33 kishin arrit shumën prej 1.200.000 dinarë, ndërsa një vit më vonë, përkatësisht në vitin 1933/34 kishin ra në 374.000 dinarë.
KUSHTETUTA E BFI-SË E VITIT 1936
Në fillim të vitit 1935, ndodhën trazira të shumta brenda organeve të Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, të cilat erdhën si rrjedhojë të kërkesave të vazhdueshme të krahut opozitar shqiptar, që me këtë bashkësi të udhëheqin vendorët, përkatësisht shqiptarët, e jo klika serbomadhe e instaluar nga Bosnja e Hercegovina. Në anën tjetër edhe shumica dërmuese e popullsisë boshnjake-myslimane ishte e pakënaqur me politikën e organeve të atëhershme supreme të BFI-së. Me insistimin e kryetarit të “Organizatës së Myslimanëve të Jugosllavisë”, Mehmet Spaho, qeveria e Stojadinoviqit, pranoi të bëhen ndryshime radikale në organizimin e brendshëm të kësaj Bashkësie Fetare. Ndër pikat kryesore të marrëveshjes midis Spahos dhe Stojadinoviqit ishin: miratimi i Kushtetutës së re, kalimi i selisë së Reis-ul-Ulemasë nga Beogradi në Sarajevë, hapja e një medrese në Shkup (Medreseja Gazi Isa Beu) dhe organizimi i zgjedhjeve të lira.
Pas këtyre kërkesave qëndronte edhe opozita shqiptare e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, e cila autorizoi Ferhat bej Dragën, që të mbajë kontakte me Spahon. Për rrjedhojë, më 25 mars të vitit 1936, organet supreme të BFI-së, sollën Kushtetutën e re e cila hyri në fuqi me 5 nëntor të atij viti, pasi u publikua në gazetën zyrtare. Kushtetuta e re e BFI-së, u garantonte autonomi të plotë organeve të kësaj bashkësie, përfshi këtu edhe menaxhimin me pronën vakëfnore. Kjo vinte në shprehje në nenin 32 të Rregullores së punës së BFI-së, e cila u soll paralelisht me miratimin e Kushtetutës, ku thuhej: “Tërë pasuria e patundshme vakëfnore: varrezat myslimane, xhamitë, mesxhidet, teqetë, medresetë, mejtepet ose trualli, nëse janë ndërtesa të rrënuara, objekte dobiprurëse, të dedikuara për qëllime fetare, arsimore e humanitare, të cilat në vitin 1912 janë hasur si të tilla, ndërsa më pas janë konfiskuar pa dëmshpërblim nga ana e pushtetarëve shtetëror e vetëqeverisës, do t’i kthehen Bashkësisë Fetare Islame ose do t’i paguhet vlera e tyre e përllogaritur. Pushtetarët kompetent të Vakëfit Mearif, Ministrisë së Drejtësisë do t’i dorëzojnë një listë ku do të përfshihen të gjitha objektet e këtilla, e cila më pas do të formoj komision të përbërë nga nëpunës shtetëror e të vakëfit-mearif për përllogaritjen e tyre dhe në marrëveshje me ministrin e Financave do ta rregulloj pagesën e shumës së përllogaritur nga mjetet shtetërore apo vetëqeverisëse, në rast se nuk do t’i kthehen Bashkësisë Fetare Islame”. (vijon në numrin e ardhshëm)