Mund të konkludohet se udhëheqja e Bashkësisë Fetare Islame në Shkup, e cila erdhi pas zgjedhjeve që kjo bashkësi i mbajti më 30 maj 1937, përbënte bërthamën kryesore të Lëvizjes Kombëtare në tokat shqiptare të pushtuara nga Mbretëria Jugosllave. Ishin pikërisht këto arsyet kryesore që qeveria jugosllave, përkatësisht Ministria e Drejtësisë, të vendosë masa të dhunshme ndaj këtij institucioni, të cilat, siç e pamë më lart, nuk u respektuan fare as nga Mexhlisi i Ulemasë në Shkup, e as nga udhëheqja supreme e BFI-së në Sarajevë
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Pas skandalit të fundit në kreun e BFI-së së Maqedonisë, i cili tronditi thellë shpirtrat e besimtarit të devotshëm shqiptar-myslimanë, e pashë të arsyeshme që për lexuesit e gazetës shqiptare KOHA – Shkup dhe jo vetëm, në disa vazhdime të bëjmë një përshkrim kronologjik për pozitën dhe veprimtarinë e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit midis dy luftërave botërore. Siç do të shihni, theks të veçantë u kam kushtuar zgjedhjeve të para të lira që kjo bashkësi i mbajti në vitin 1937 me çka në krye të saj erdhën atdhetarët e shquar kombëtar e fetarë shqiptarë, të cilët për tre vjet sa qëndruan në krye të asaj bashkësie, lanë gjurmë në historiografinë shqiptare. Besoj se ky punim studimor do të ndikoj tek popullsia shqiptare myslimane në përgjithësi, e te hoxhallarët në veçanti, që në krye të kësaj bashkësie të mos vijnë njerëz të korruptuar (siç janë tani), të pamoralshëm e të cilët si qëllim parësor nuk e kanë mbrojtjen e interesit të Islamit, por pasurimin e tyre personal. Kjo u pa në mbledhjen e fundit, ku ata të cilët e shkarkuan kryetarin e mëparshëm, deri dje ishin mbështetësit më të mëdhenj të të parit të tyre.
Ferhat bej Draga, më 20 qershor 1940, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit Mearif të Vakëfit në Shkup, Këshillit Shtetëror në Beograd i dorëzoi një padi prej 17 faqesh kundër vendimit të lartpërmendur. Në vazhdim po e paraqesim një pjesë të asaj padie: “….Me këtë urdhëresë, si individualisht po ashtu edhe në tërësi, është shkelë hiç më pak se autonomia e Bashkësisë Fetare Islame, e garantuar me Ligjin për Bashkësinë Fetare Islame të Mbretërisë Jugosllave, ndërsa me ato masa arbitrare është suspenduar thuajse fletë për flete Kushtetuta e Bashkësisë Fetare Islame…. Bashkësia Fetare Islame administrohet sipas ligjeve dhe Kushtetutës së saj, të cilat, në këndvështrimin juridik, janë identike për shembull me Ligjin për Kishën Ortodokse Serbe dhe me Kushtetutën e Kishës Ortodokse Serbe. Ligjvënësi është kujdesur me vëmendje që, gjatë përpilimit të ligjit fetar, të mos ketë as dyshimin më të vogël të diskriminimit ose padrejtësisë. Ja, për shembull, ne nuk mund ta paramendojmë që në Shtetin tonë mund të gjendet ndonjë ministër i Drejtësisë, madje edhe nëse nuk do të ishte serb i besimit ortodoks, por jashtë atij besimi – të themi kroat, slloven ose, madje, edhe shqiptar – i cili do të merrte guximin qoftë kjo edhe teorik për ta plotësuar qëllimin që autonomisë së Kishës Ortodokse Serbe t’ia hartojë kësulën në mënyrën, siç tash praktikisht ministri i Drejtësisë po bën përpjekje ndaj autonomisë së Bashkësisë Fetare Islame. Në atë rast mund të paramendohet, askush nuk mund t’iu shmangej pasojave të rënda, sepse ne ende e kemi të freskët furtunën e paradokohshme…. Theksuam se vendimi i miratuar as që mund të kuptohet, e ku më të vlerësohet mbi bazën e kriterit të drejtësisë. I njëjtë vendim nuk përmban kurrfarë arsyetimi të dokumentuar, me çka do të mund të hulumtoheshin reagimet e arsyeshme, me të cilat zoti ministër i Drejtësisë mbështetet gjatë sjelljes së tij. Në atë hamendje do të ngeleshim edhe më tutje, po qe se zoti Reis-ul-Ulema në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Mearif të Vakëfit në Sarajevë, të mbajtur më 14 qershor të vitit 1940 (sipas informatave të gazetës zagrebase “Obzor” nr. 138 nga 15 qershori 1940), duke protestuar për shkak sjelljes së vendimit kundërligjor, veç tjerash, konstatoi: ‘Kur gjatë debatit me ministrin e Drejtësisë biseduam për këto çështje, ai më deklaroi se kjo nuk është çështje juridike, por politike’. Nëse ky konstatim është i këtillë (ndërsa nuk kemi arsye të dyshojmë në fjalët e zotëri Reis-ul-Ulemasë), atëherë sjellja e zotit ministër të Drejtësisë mund të jetë e kuptueshme vetëm në disa këndvështrime, të papërcaktuara dhe të pakuptueshme për ne, të interesit politik, mirëpo me këtë ky veprim ende nuk është arsyetuar nga këndvështrimi i Ligjit, rregullimit juridik, sigurisë juridike e të moralit publik. Për këtë arsye lus Këshillin Shtetëror që ta miratojë këtë padi nga arsyet e lartpërmendura dhe ta hedhë poshtë në tërësi vendimin e zotit ministër të Drejtësisë të datës 17 maj të vitit 1940”.
Një ditë më pas pasoi padia edhe e Mexhlisit të Ulemasë, drejtuar të njëjtit institucion, në të cilën, veç tjerash, thuhej: “…Duke e pasur parasysh se akti për suspendimin e Kuvendit Mearif të Vakëfit në Shkup ashiqare është JOLIGJOR, sepse zoti ministër i Drejtësisë ka mund ta kryejë kontrollin e nevojshëm paralelisht me ekzistimin e Kuvendit, meqenëse Reis-ul-Ulemaja i Bashkësisë Fetare Islame nuk e pranon e as që do ta pranojë aktin për vendosjen e Komisariatit Shtetëror në Drejtorinë e Vakëfit në Shkup, prandaj me të njëjtin nuk pranon kurrfarë bashkëpunimi, meqenëse Mexhlisi i Ulemasë në frymën e Kushtetutës e të Ligjit për Bashkësinë Fetare Islame është i detyruar t’u përmbahet urdhëresave dhe instruksioneve të Reis-ul-Ulemasë si udhëheqës i tij suprem, prandaj Mexhlisi i Ulemasë nuk ka mundësi ligjore të veprojë sipas urdhëresës së z. ministër të Drejtësisë në vendimin e bashkangjitur, për çka pason padia jonë deri te Këshilli Shtetëror, me lutje që ky vendim i z. ministër të Drejtësisë të hidhet poshtë si antiligjor.”.
Duke u munduar t’u kundërvihej dy padive të mësipërme, ish kryeshefi i Ministrisë së Drejtësisë – Dhoma e Fesë në Shkup, Hasan Rebac, i shkruante Këshillit Shtetëror në Beograd se udhëheqja e Bashkësisë Fetare Islame në Shkup po zbaton një politikë “nacional-shoviniste”. Sipas tij “Ferhat bej Draga, këtë e ka shtruar në mënyrë të qartë në mbledhjen e datës 19 prill 1939, duke i ndarë myslimanët e jugut në shqiptarë e joshqiptarë”. Në këtë frymë të re të imponuar, theksonte në vazhdim, Rebac “si tërë kryesia, ashtu edhe i tërë këshilli kuvendor dhe i tërë këshilli i kontrollit, i ashtuquajturi këshilli i punës përbëhen vetëm nga shqiptarët” e nëse merret parasysh se edhe të gjithë anëtarët e Mexhlisit të Ulemasë janë shqiptarë, “atëherë mund të paramendohet se në çfarë gjendje nënçmuese janë myslimanët joshqiptarë, përkatësisht myslimanët serbë…”.
Për dallim nga Hasan Rebac, udhëheqësi suprem i BFI-së në Sarajevë, Reis-ul-Ulemaja Fehim ef. Spaho, e hodhi poshtë në mënyrë kategorike vendimin e ministrit, të cilin ai e quante antiligjor dhe arbitrar, duke kërkuar nga Mexhlisi i Ulemasë në Shkup të ndërpresë çdo lloj bashkëpunimi me Komisariatin Shtetëror. Këtë e shohim në urdhëresën me numër 98/40, të datës 21 gusht 1940, përmbajtja e së cilës është si vijon: “Me rastin e vendosjes së Komisariatit Shtetëror në Drejtorinë e Vakëfit në Shkup, aktin e ministrit të Drejtësisë numër 42554/40 nga data 17 maj 1940, me aktin e këtushëm Proc. nr. 67/40 nga 6 qershori k.v., ia kam bërë me dije Mexhlisit të Ulemasë t’i ndërpresë të gjitha shkresat me këtë komisariat të vendosur në mënyrë joligjore, pasi ky komisariat sipas Kushtetutës dhe Ligjit të BFI-së nuk ka kurrfarë legjitimiteti legal për ekzistimin e vet, prandaj tërë veprimtaria e tij – nga pikëpamja e Kushtetutës dhe Ligjit të BFI-së – është joligjor dhe pa bazë morale. Në lidhje me këtë lutet Mexhlisi i Ulemasë që, përmes një qarkoreje, t’ua bëj me dije të gjithë imamëve të rretheve e të xhematit, që edhe ata të mos mbajnë kurrfarë korrespodence me këtë komisariat, sepse të gjitha vendimet e këtij trupi janë të pavlefshme juridikisht, ndërsa për të njëjtat duhet të prononcohet edhe Drejtoria e Vakëfit në Shkup”.
Ndërkohë, Këshilli Drejtues i Shoqatës së Imamëve Ofiqarë nga territori i Mexhlisit të Ulemasë në Shkup, në mbledhjen e mbajtur më 26 shtator 1940, miratoi një rezolutë, përmes së cilës, vendosjen e Komisariatit Shtetëror e konsideroi si një akt arbitrar dhe joligjor. “Akti i vetëm i tillë – thuhej në të – në jetën e të gjitha bashkësive fetare nga themelimi e deri më sot, myslimanët nuk munden dhe nuk do ta komentojnë ndryshe, përveçse si pasojë e mashtrimit të organeve më të larta shtetërore nga ana e disa njerëzve, të prirë për interesa personale dhe dëshira për pushtet në BFI… Jemi në prag të ditëve të agjërimit të muajit të ndritur të RAMAZAN SHERIFIT, ndërsa shumë xhami tona do të jenë të detyruara të ngelin të mbyllura, shumë krahina do të ngelin pa lutje dhe ulema, të cilët nuk mund të emërohen përderisa ekziston pushteti i Komisariatit; organet i kanë ndërprerë funksionet e tyre, ndërsa institucionet punën e tyre frytdhënëse, krejt kjo vetëm për shkak Komisariatit. Për tre muaj nga vendosja e tij, Bashkësia Fetare Islame ka ardhur deri te kriza më e madhe që nga ekzistimi i saj… Duke u gjendur pranë një situate të këtillë Shoqata e Imamëve Ofiqarë, e thirrur për t’i mbrojtur interesat e nëpunësve fetarë të Bashkësisë Fetare Islame, PROTESTON njëzëshëm dhe vendosmërisht kundër vendosjes së Komisariatit dhe kërkon tërheqjen urgjente të tij….”.
Letra, reagime dhe protesta të shumta pati nga shumë institucione dhe personalitete fetare e kombëtare shqiptare. Për shkak hapësirës së kufizuar këtu, e pamë të arsyeshme që në këtë vështrim t’i referohem një pjese të letrës së Ferhat bej Dragës, dërguar më 18 nëntor 1940, nënkryetarit të Qeverisë së Mbretërisë jugosllave, Vllatko Maçekut, ku veç tjerash shkruante: “Meqenëse me vendimin e 17 majit të këtij viti të ministri i Drejtësisë në mënyrë joligjore e ka suspenduar Kushtetutën e Bashkësisë Fetare Islame në territorin e Mexhlisit të Ulemasë në Shkup dhe në mënyrë arbitrare ka emëruar komisariat, tërë popullsia myslimane këtë e ka parë si një grusht ndaj institucioneve të veta fetare dhe si një atentat të ri ndaj të drejtave elementare të myslimanëve në trevat jugore. Pas rrugës plot me ferra, përmes së cilës myslimanët e viseve jugore e sidomos ata të kombësisë shqiptare ishin të detyruar të kalojnë në mbrojtjen e pasurisë së tyre fshatare nga grabitqarët zullumqarë, e cila zbatohej përmes të ashtuquajturës reformë agrare dhe kolonizim, e cila edhe pse gjoja është ndërprerë përkohësisht ende u kërcënohet si shpatë mbi kokë, tash atyre u kërcënohet edhe në të drejtën e vetme, të cilën ata e kanë gëzuar në këtë shtet, në autonominë e tyre fetare. Përndryshe, Juve, Zotëri Kryetar, ju janë të njohura rrethanat për së afërmi se në çfarë përmasash janë zhvilluar përndjekjet e myslimanëve tanë, për arsye se herë pas here edhe vet kam pasur nderin, për tërë këto t’Ju informoj…”.
Nga gjithë që u tha më sipër, mund të konkludohet se udhëheqja e Bashkësisë Fetare Islame në Shkup, e cila erdhi pas zgjedhjeve që kjo bashkësi i mbajti më 30 maj 1937, përbënte bërthamën kryesore të Lëvizjes Kombëtare në tokat shqiptare të pushtuara nga Mbretëria Jugosllave. Ishin pikërisht këto arsyet kryesore që qeveria jugosllave, përkatësisht Ministria e Drejtësisë, të vendosë masa të dhunshme ndaj këtij institucioni, të cilat, siç e pamë më lart, nuk u respektuan fare as nga Mexhlisi i Ulemasë në Shkup, e as nga udhëheqja supreme e BFI-së në Sarajevë. (fund)