Qendra Klinike është projekt që mbetet si prioritet në fokusin tim. Kjo çështje kërkon shumë përgatitje. Janë të interesuara një kompani angleze dhe një turke, por edhe kompani të tjera, theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve me rastin e 100 ditëve të tij në funksionin e ministrit.
“Ai është projekt shumë i mirë kapital dhe duhet të rregullohet njëherë e përgjithmonë. Nevojitet shumë kohë për përgatitje. Ka shumë grupacione të interesuara. Janë të interesuara një kompani angleze dhe turke dhe edhe disa kompani të tjera. Këtë projekt e prezantuam para disa ambasadave, në mesin e të cilave edhe ajo e SHBA-së. Punojmë në këtë drejtim”, sqaroi Mexhiti.
Mexhiti theksoi se sfida e tij më e madhe është që ta bashkojë Qendrën Klinike në Shkup. Përsëriti se informacioni është dërguar në Qeveri, duke sqaruar se pastaj janë të nevojshme që të kalojnë ndryshimet e Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore në Kuvend.
“Po punojmë në këtë dhe çdo ditë të gjithë na sigurojnë, edhe vetë pacientët, ashtu edhe vetë puna, se duhet të ndodhë sa më shpejt. Ju thashë se në marrëveshjen me drejtorët e FSSHM-së kemi të njëjtin vizion që me fillimin e vitit buxhetor do të jetë më e lehtë që të bashkohen dhe kjo të fillojë të funksionojë”, tha ai.
Rreth mungesës së vendeve për parkim në Qendrën Klinike, Mexhiti tha se punojnë në atë çështje dhe paralajmëroi se për një kohë të shkurtë do të prezantojnë versionin final.
Në pyetjen e gazetarëve se a është i informuar se shërbimet e përbashkëta në Qendrën Klinike tashmë dy muaj nuk kanë marrë pagë”, ministri Mexhiti theksoi se ata janë nën ingerenca të Qeverisë dhe nuk deshi të komentojë më shumë.
“Ata janë nën ingerencë të Qeverisë, ndërsa jo të Ministrisël. Për ato shërbime të përbashkëta nuk dua të komentoj më shumë. Qëndrimi im për publikun është i qartë”, tha ai.