Shkup, 3 mars – Dallime ka, edhe politike edhe në konotacione të tjera, por e kishim parasysh se jemi në gjendje të koronavirusit ku nuk duhet të kontribuojmë për përkeqësimin e situatës dhe duke i pasur parasysh proceset në të cilat ndodhet shteti dhe kemi dhënë përparësi që procesi të vijojë, ndërsa gjatë tij t’i zgjidhim dallimet dhe problemet tona të cilat janë reale në BDI. Nuk ka asgjë të keqe të konstatohet se ka probleme dhe dallime, por kjo duhet zgjidhur me debat dhe dialog. Dallimet janë edhe konceptuale edhe politike. Dëshirojmë të respektohet parimi i mediokracisë, BDI ta realizojë atë që e ka premtuar, që është një prej arsyeve që jemi përfaqësues më të mëdhenj të shqiptarëve në vend. Këtë sot e deklaroi koordinatori i grupit të deputetëve të BDI-së, Izet Mexhiti dhe ish-kryetar i Komunës së Çairit në pjesëmarrjen e sotme në “Brifingun e mëngjesit”.
Ai informoi se për zgjedhjet lokale janë duke u bërë anketa, shihet se si listohen njerëzit dhe vlerëson se, siç tha, e gjithë kjo duhet të jetë parim edhe për njerëzit që na përfaqësojnë. “Kjo nuk është Qeveri eksperte, nuk është Qeveri teknike, kjo është Qeveri politike dhe atje duhet pasur njerëz të cilët kanë legjitimitet edhe tek populli edhe tek anëtarësia dhe duhet të listohen mirë edhe në anketat”, tha Mexhiti.
Mexhiti theksoi se realisht në BDI ka probleme, por është mirë të diskutohet lidhur me dallimet politike. “Unë isha njëri prej nismëtarëve BDI të shkëputet nga VMRO-ja e atëhershme në krye me Gruevskin dhe t’i bashkohet këtij koalicioni, i cili kontribuoi shteti të dalë nga izolimi, të bëhet anëtare e NATO-s dhe të pretendojë drejt BE-së, por gjithashtu sot kemi vërejtje – doja t’i afroj me Zaevin dhe LSDM-në, por jo të shkrihen. Vërejtja është ndaj deklaratës së Grubit se “jemi një”, ndërsa nëse e mendon këtë në aspektin politik, unë jam kundër kësaj. Dihet nga vjen BDI dhe çfarë përfaqëson”, deklaroi Mexhiti.
Ai sqaroi se për të dhe për BDI-në partner është Zoran Zaev dhe LSDM-ja. “Kemi bërë shumë deri më tani, na pret edhe shumë punë dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur për t’i përmbyllur këto punë të cilat do t’u japin perspektivë të reja qytetarëve të vendit”, tha Mexhiti.
Për regjistrimin, Mexhiti thotë se është gjetur zgjidhje për problemin kryesor i cili çoi drejt dështimit të regjistrimit paraprak. Në esencë, sipas tij, mund të kemi vetëm probleme apo gabime teknike dhe jo nga karakteri politik. Potencoi se është koha të mbahet regjistrimi i cili, siç tha, është i rëndësishëm për analizat ekonomike, për zhvillimin e shtetit. Vlerëson se diaspora është e interesuar, ka hyrë në proces dhe shfaqi shpresë se janë tejkaluar problemet teknike të cilat ishin në fillim.
Mexhiti përkujtoi se BDI është partia e parë shqiptare e cila nuk u ndal anash dhe kërkoi pjesëmarrje aktive dhe të japë kontribut në negociatat me Greqinë, ndërsa tani edhe me negociatat me Bullgarinë. “Kjo është çështje e cila na tangon neve si shqiptarë në shtetin tonë. Hapi i Radevit nuk është shembull i mirë, por e kemi parasysh se jemi para zgjedhjeve. Duhet të shikojmë në aspektin strategjik ndaj kësaj dhe të mos lejojmë t’i humbim edhe 20 vite të tjera. Ne nuk kemi alternativë tjetër, BE është alternativa e vetme”, deklaroi Mexhiti.
I pyetur për ndërrimin eventual të liderit të BDI-së, Mexhiti përkujtoi se në kongresin e ardhshëm të BDI-së që u mbajt vitin e kaluar, Ahmeti u zgjodh në mënyrë unanime. “Pritet edhe shumë vite të jetë në krye të partisë, nuk ka dilema rreth kësaj”, deklaroi Mexhiti dhe shtoi se duhet të punohet në mënyrë ekipore, të ndahen detyrat, ndërsa të tjerat janë dallime normale.