Mevaip Abdiu, ambasador i Paqes Botërore

Tetovë, 7 nëntor – Komiteti Botëror i Paqes i përfaqësuar nga zëvendëspresidenti Rabit Sadiku ndau çmimin Ambasador dhe Lider i Paqes Botërore. Komiteti Botëror i Paqes i 202 vendeve të Botës duke u bazuar në aktivitetet e tij, dekoroi Mevaip Abdiun me titullin Ambasador i Paqes botërore, kurse Tahir Shabanin si Lider i Paqes Botërore.

Abdiu është i diplomuar në Fakultetin Juridik në Prishtinë, është magjistër për menaxhim me media dhe multimedia, themelues i televizionit të parë shqipfolës privat në të gjithë trojet shqiptare në vitin 1992, si dhe themelues dhe kryetar i klubit Rotarian të Tetovës. “Duke e vlerësuar punën e tij të palodhshme, e cila gjithmonë ka qenë në binar të paqes, është një figurë që vazhdimisht po ndërton dhe po punon për paqen dhe mirëqenien e të gjithëve”,  tha zëvendëspresidenti i Komitetit të Paqes Botërore, Rabit Sadiku

“Ndjehem shumë i privilegjuar që nga Tetova sonte do të ndajmë dy tituj për dy figurat të cilat gjithmonë kanë vepruar në suaza të paqes dhe për ta ngritur të njëjtën në nivel sa më të lartë. Dy emblema të cilat me vite të tëra kanë kontribuar për vendet e tyre. Unë me të vërtet ndjehem krenar që komiteti i Paqes Botërore i 202 vendeve të botës ka bërë vlerësimin e duhur”, vijoi  më tej Sadiku. Duke falënderuar për vlerësimin e bërë, tanimë Ambasadori i Paqes, Mevaip Abdiu, theksoi se ndjehet i privilegjuar për titullin, i cili siç u shpreh, vetëm do ta inkurajojë të punojë më shumë për paqen në nivel shtetëror e më lartë.

“Unë me të vërtet ndjehem i privilegjuar që sot do të marr këtë titull, i cili veçmas do të më motivoj dhe do të më obligoj që të punoj sa më shumë për të ngritur vetëdijen paqësore në vendin tonë, i cili potencialisht ka qenë gjithmonë mbështetës i paqes. Falënderoj Komitetin e Paqes që e panë të arsyeshme që ky titull të shkoj për mua dhe ju premtoj që do të mundohem në çdo formë dhe në çdo aspekt ta mbroj dhe të kontribuoj për paqen në vendin tone”, tha Abdiu. Në ndërkohë, çmimi Lideri i Paqes botërore shkoi për Ambasadorin e Paqes, Tahir Shabani.

Në manifestim, i Pranishëm ishte edhe Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili përgëzoi laureatët e çmimeve duke vlerësuar se Tetova e kishte nderin që të jetë nikoqire e këtij eventi madhështor. Ndryshe, Komiteti Botëror i Paqes është një Institucion i Bashkësisë Ndërkombëtare dhe u shpall në qytetin e Bazelit, në Zvicër, më 7 mars 1997. (koha.mk)