Shkup, 10 shkurt – Zëvendës shefi i delegacionit të BE-së, Xhulian Vasallo, para Këshillit Nacional për Eurointegrime theksoi se sundimi i së drejtës do të jetë kyç në procesin aderues të vendit drejt Unionit. Me sferën e drejtësisë do të nisin dhe do të përfundojnë bisedimet, thotë Vasallo. BE dëshiron që të menaxhojë edhe migrimin e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor pa cenuar parimin e lëvizjes së lirë, ka thënë Vasallo.
“Lëvizja e lirë e njerëzve është një nga katër liritë e BE-së, megjithatë ky vend ka nevojë për njerëzit më të mirë, të cilët do të krijojnë mundësi këtu dhe do të ndërtojnë shtet në të cilin ata do të dëshironin të jetojnë.”,- tha zëvendës shefi i delegacionit të BE-së, Xhulian Vasallo.
Poposki: Parlamenti i ri, të punojë fuqishëm
Kryetari aktual i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Nikolla Poposki, apeloi që përbërja e re parlamentare të punojë fuqishëm në procesin integrues pa llogaritur se kur do të vijë integrimi.
“Ne s’duhet që pjesën më të madhe të energjisë ta harxhojmë në atë se çfarë metodologjie ata do të miratojnë, por menjëherë të kuptojmë se shpejtësia e integrimit nuk varet nga statistika, se sa kapituj dhe tekste ligjore do të miratohen, por thelbi është në zbatim. Nga Maqedonia të cilën do ta ndërtojmë, varet se sa shpejtë do të hyjmë në BE dhe vazhdojmë më tej.”,– theksoi kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Nikolla Poposki.
Vendet anëtare të BE-së, pritet ta miratojnë metodologjinë kah fundi i këtij muaji që në mars të sillet vendimi për nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, para mbajtjes së samitit të Ballkanit perëndimor në Zagreb më 6 dhe 7 maj. (koha.mk)