Metoda natyrale për të liruar hundët e bllokuara të fëmijës

Në këtë periudhë virozash është shumë e rëndësishme të mbajmë të lirë hundën e fëmijës, gjë e cila në disa raste nuk është edhe shumë e thjeshtë për t’u bërë. Hunda e bllokuar e fëmijës mund të themi se është një nga “makthet” më të këqija të nënave, kjo pasi fëmija do të shfaqë vështirësi në frymëmarrje si edhe ushqyerje duke bërë që ai të qajë dhe të jetë vazhdimisht i irrituar.

Disa metoda natyrale për të liruar hundën e fëmijës

Para së gjithash na duhet t’ju theksojmë se në çdo rast duhet të veproni duke marrë parasysh moshën e fëmijës. Nëse ai është më i vogël se 3 muajsh dhe hunda është bllokuar për shkak të një viroze të lehtë, ju duhet të veproni me anën e një solucioni që shkrin sekrecionet duke bërë edhe një kontroll tek mjeku pediatër.

Veproni kështu:

E bëni fëmijën të pijë sa më shumë lëngje, dhe jo vetëm ujë. Është shumë e rëndësishme që ai të konsumojë sa më shumë supëra dhe lëngje frutash apo perimesh. E lagështoni ambientin në mënyrë që sekrecionet të shkrijnë më me lehtësi. Tërhiqni sekrecionet e fëmijës me anën e një pompe, por kujdes! Nuk duhet të ushtroni shumë presion. Hapni dushin në banjo dhe krijoni avull. Më pas futuni bashkë me fëmijën dhe qëndroni për disa minuta brenda banjos. Avulli është shumë efektiv në shkrirjen e sekrecioneve. I vendosni disa gjethe mente poshtë hundës, kjo pasi kjo bimë ka veti kundër gripit, kollës, hundëve të bllokuara si edhe dhimbjes së fytit. Nëse fëmija vuan nga ndonjë alergji duhet të flisni me mjekun pediatër.