Bruksel, 25 shkurt – Sekretarja shtetërore e Kroacisë për punë evropiane, Andreja Metelko-Zgombiq, para fillimit të Këshillit për punë të përgjithshme të BE-së në Bruksel sot, deklaroi se shpreson se të gjitha aktivitetet e ndërmarra në pjesën e zgjerimit do të krijojnë kushte për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, njofton KOHA.
Ministrat e punëve të jashtme dhe evropiane sot do ta dëgjojnë prezantimin e Komisionit Evropian për metodologjinë e reviduar për negociatat aderuese si dhe për avancimin reformues të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në prag të publikimit të raporteve gjatë javës së ardhshme.
“Sot nuk do të ketë fjalim për avancimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, sot e bëjmë hapin e parë, Komisioni Evropian do të na njoftojë për propozimin e metodologjisë së ardhshme për zgjerim dhe do të na njoftojë njëkohësisht si vijojnë përgatitjet për raportet për avancimin dhe besojmë se këto dy aktivitete së bashku do të jenë kontribut mjaft i madh për krijimin e kushteve për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, deklaroi Metelko-Zgombiq. (koha.mk)