”Metamorfoza” e Malcolm, nga yll në të padëshiruar

Para disa muajve, Malcolm shihej si e ardhmja e futbollit botëror. Në fund të korrikut, transferimi i brazilianit në Romë ishte i sigurtë, me futbollistin që ishte gati të transferohej në kryeqytet. Por pastaj ndërhyri Barcelona, e cila bëri një nga ‘’rrëmbimet’’ më të bujshme të futbollit në vitet e fundit, duke shkaktuar një incident diplomatik midis dy klubeve. Dhe në fund erdhi … Valverde, i cili që gjatë prezantimit të lojtarit kishte shprehur dyshimet e para.

“Malcom është një futbollist shumë i ri, me shumë talent, tek i cili klubi sheh një të ardhme të rëndësishme. Klubi e ndiqte prej shumë kohësh”. Këtu qëndron problemi, e kishte kërkuar klubi, jo trajneri, që nuk e di se çfarë të bëjë me të. Braziliani ka luajtur vetëm 25 minuta në dy ndeshje, ndërkohë që për ndeshjen ndaj Athletic Bilbao, as që është grumbulluar për zgjedhje teknike. Duke u nisur nga fakti që Messi e nisi ndeshjen nga pankina, të gjithë prisnin që të grumbullohej. Thuajse i zhdukur deri në atë pikë sa që të etiketohet “futbollisti i padëshiruar nga Valverde”.

Një situatë e mistershme, duke pasur parasysh se katalanasit shpenzuan dyzet milionë euro për ta transferuar nga Franca. Një kapriço e klubit? Ka mundësi, pasi sigurisht nuk ishte një kërkesë nga ana e teknikut dhe se nga blerjet e verës (Arthur dhe Vidal) është lojtari që ka luajtur më pak. Dhe, duke përjashtuar Denis Suarez i cili është i dëmtuar dhe Cilessen, portieri i dytë, është lojtari me minutazhin më të ulët. Kampionati është i gjatë, por këto nuk janë shenja të mira.