Meta thirrje partive dhe qytetarëve të Luginës të dalin në zgjedhjet e Serbisë

0

Tiranë, 10 shkurt – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta inkurajon të gjitha forcat politike të Luginës së Preshevës dhe të gjithë popullsinë shqiptare kudo ku jeton në Serbi, të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë me 26 prill.

Meta nxit partitë shqiptare atje të unifikojnë qëndrimet, në mënyrë që të maksimalizojnë rolin dhe kontributin e tyre në institucionet e ardhshme, si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal, transmeton gazeta KOHA.

“Presidenti Meta shpreh bindjen se pjesëmarrja sa më masive e shqiptarëve në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore, bashkëpunimi i të gjithë subjekteve politike për rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve, si dhe bashkëpunimi i tyre i ngushtë me faktorin ndërkombëtar do të garantojnë forcimin e zërit të popullsisë shqiptare në funksion të plotësimit të kërkesave dhe të drejtave të tyre legjitime në Serbi” thuhet në deklaratë, njofton Ora njuz.

Meta ka ndjekur dhe ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet në Luginën e Preshevës e në mënyrë të veçantë zhvillimet politike lidhur me zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

Ai ka bërë thirrje në vijimësi për zgjidhjen në mënyrë demokratike të të gjitha çështjeve që shqetësojnë popullsinë shqiptare të Luginës dhe të gjithë shqiptarët në Serbi. Në këtë kontekst, pjesëmarrja në zgjedhje, si ato të përgjithshme, ashtu dhe lokale, është me rëndësi madhore.

Serbia do të mbajë më 26 prill zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale. Pesë parti  shqiptare në Luginën e Preshevës do ta kandidojnë me një listë të vetme në zgjedhjet e parlamentare pas marrëveshjes së negociuar nga Tirana zyrtare.

Por jashtë kësaj marrëveshje kanë mbetur disa parti, prej ty6re dhe me peshë, të cilat janë shprehur kundër këtij qëndrimi.(koha.mk)

Comments are closed.