Në fjalën e tij në konferencën e organizuar nga Shoqata “George C. Marshall Shqipëri”, me temë “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta foli me tone kritike ndaj tezave për bashkim të shqiptarëve në Ballkan.
“Nuk ka komb në Ballkan që kanë përfituar më shumë se shqiptarët nga rënia e perdes së hekurt, sepse nuk ka pasur ndonjë komb në Ballkan që ka qenë më i shtypur para viteve ’90. Shqiptarët në Shqipëri, dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi. E mbajmë mend shumë mirë se çfarë ishte Jugosllavia, Hungaria e Rumania në raport me ne – ne ishim thjesht një Kore e Veriut në atë kohë në kuptimin e të drejtave të njeriut. Dëgjojmë shpesh pyetjet, pse mos bashkohen të gjithë shqiptarët. Po natyrshëm, pse mos të bashkohen gjithë serbët, gjithë kroatët, të gjithë boshnjakët, etj”, ka thënë Meta në fjalën e tij.
Tutje, këto ide Meta i quajti “deliriume gjoja patriotike”. “Në fakt, më shumë sesa folklorizëm, janë më shumë një diabolizëm i gjallë, një përpjekje e politikanëve autoritarë për t’u shmangur nga llogaridhëniet e brendshme dhe për të provokuar tema për të shmangur vëmendjen e opinionit nga çështje të brendshme”.
“Dhe shpesh e bëjnë këtë edhe në mënyrë të koordinuar. Dhe ndërkohë çfarë ndodh? Ikin të rinjtë nga Shqipëria, nga Kosova, Serbia, Maqedonia, nga Bosnja.. ikin nga kudo dhe na ftojnë për të parë një film që e kemi parë kudo në Ballkan. Bëhet fjalë për një rajon të Ballkanit Perëndimor, në një situatë kur pesha e Evropës nga pikëpamja ekonomike ka rënë në Botë, kur globalizimi vë në rrezik të gjithë vendet e vogla dhe gara është mes rajoneve dhe ne thellojmë ndarje për arsye më shumë personale”, theksoi presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, duke theksuar se “ne tashmë e dimë atë film që ka ndodhur”, raporto Koha.net.
“Për herë të fundit ndodhi para 20 vitesh në Kosovë, ndodhi më përpara, e kështu me radhë”.
“Na pëlqen të dëgjojmë se serbët dhe shqiptarët janë dy popujt kryesorë të rajonit, popujt më të mëdhenj dhe tani kanë përgjegjësinë e madhe për fatet e Ballkanit, si Gjermania e Franca. Është tjetër të thuash atë që bëri Franca me Gjermaninë pas luftës që nxorën mësime, dhe është tjetër të thuash se kemi dy popuj të mëdhenj në Ballkan. Kjo sepse në Ballkan çdo popull është më i madhi në botë. Shikoni këngët, shikoni historinë – asnjëri nuk pranon që tjetri është më i madh. Në Ballkan, çdo komb diku është shumicë e diku pakicë. Nuk rivizatohen kufijtë aq kollaj. Sepse ne e dimë shumë mirë (mund të mërzitet Ambasadorja kroate, por s’ka problem), Tuxhmani dhe Millosheviqi ranë dakord për të rivizatuar kufijtë, por ne e dimë shumë mirë se çfarë ndodhi, sa qindra-mijëra njerëz u vranë në Ballkan, dhe asnjë centimetër nuk u ndryshua. Ne e dimë shumë mirë se sa marrëdhënie vëllazërore janë ato mes Kosovës dhe Malit të Zi, janë të shkëlqyera. Mali i Zi ka bërë një hap të shkëlqyeshëm që ka njohur pavarësinë e Kosovës në një periudhë të shpejt, aq të mirë sa Serbia thotë se ia falim Malit të Zi pavarësinë nga ne, por jo njohjen e pavarësisë së Kosovës. Dhe e dimë mirë se çfarë ndodhi me demarkacionin Kosovë-Mali i Zi, kur një Qeveri më e madhja ndonjëherë, PDK e LDK e nënshkroi… dhe kur erdhi puna për ta zbatuar, një pakicë e vogël atje e bllokoi dhe për çka? Për disa pyje që as qentë nuk jetojnë në dimër. S’ka as histori, as xhami, as kisha… Në këtë rast dua të bëj të qartë diçka si President i Shqipërisë. Kontributi ynë themelor është stabiliteti në rajon. Çdo delirium tjetër nuk i shërben as Shqipërisë as besueshmërisë së saj e as kontributit të saj. I kemi të gjitha mundësitë, siç e kemi treguar së paku nga lufta në Kosovë e këndej, që jemi faktor stabilizues. Jo vetëm ne në Shqipëri, por edhe shqiptarët në Mal të Zi e Maqedoni që janë përcaktues të së ardhmëve evropiane”, theksoi Meta.
“E di Ambasadori (serb në Tiranë, Mirolub) Zariq sa jam lodhur unë për marrëdhëniet me Serbinë. Ende gjysma e marrëveshjeve nuk janë firmosur që nga viti 2002-2003 dhe shpresojmë të firmosen. Dhe nuk ka asnjë kufizim për marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, sepse të dyja synojnë BE-në. Por duhet të kemi parasysh se kur flasim për dialogun Kosovë-Serbi, Shqipëria në këtë çështje është thjeshtë një mbështetëse e dialogut, sepse në momentin kur Shqipëria hyn në këtë dialog, cenon sovranitetin e institucioneve të Kosovës. Shqipëria e ka njohur republikën e Kosovës, e njeh dhe do ta njohë gjithmonë dhe kjo do të thotë se ne do të repskeotjmë institucionet e Kosovës në dialogun me Serbinë. Kush thotë se do të diskutojmë me Tiranën ose do të kufizojmë serbët me shqiptarët, mjafton të shohim atë filmin që e kemi parë më herët në Ballkan. Gjërat duhet të jenë të qarta, nuk duhet të zbehim atë rol konstruktiv që ka dhe ka pasur Shqipëria. Në këtë drejtim theksoj edhe njëherë se detyra jonë është nxitja e unifikimin dhe ndërtimin e konsensusit të brendshëm në Kosovë midis gjithë institucioneve. Së dyti, të kërkojmë një koordinim e bashkërendim të vazhdueshëm me SHBA-në dhe BE-në. Nëse dikush mendon që duhet të angazhohet më shumë Amerika e më pak Evropa, apo anasjelltas, mendoj se është shumë e gabuar për shqiptarët në Kosovë e për tërë rajonin. Marrëveshja e Prespës tregoi se kur kjo marrëdhënie ekziston, suksesi është i garantuar”, tha ndër të tjera presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në konferencën e organizuar nga shoqata “George C. Marshall Shqipëri”, me temë “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”.