Tiranë, 5 shtator – Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta paradite dërgoi mesazh me rastin e dyvjetorit nga shpallja e Nënës Terezë për shenjtore.
Në mesazhin, e publikuar në Fejsbuk, Meta bën thirrje që të hapen horizonte të reja, gëzimi e shprese, mirëkuptimi e dashurie për ata që kanë aq shumë nevojë.
“Dita e Shën Nënë Terezës është një ditë feste për mbarë shqiptarët dhe botën katolike në tërësi! Shën Nënë Tereza, është shembulli i jashtëzakonshëm i dashurisë pa kurrfarë kushti dhe i misionit të pareshtur të përkujdesjes ndaj kujtdo që vuan, pa dallim kombësie, race, feje apo përkatësie shoqërore. Në shembullin e saj, kjo ditë na fton të gjithëve, të hapim horizonte të reja, gëzimi e shprese, mirëkuptimi e dashurie për ata që kanë aq shumë nevojë”, shkroi Meta.
Duke cituar një nga thëniet e Nënës Terezë, Meta thotë se me shumë dashuri mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme për këdo që ka sot nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale.
“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, shkroi Meta.