Tiranë, 16 tetor – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta beson se Shqipëria është larg përmbushjes së kushteve të nevojshme për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare, duke fajësuar shumicën qeverisëse për këtë.
“Me rastin e përfundimit të misionit në Shqipëri, prita në takim ambasadoren e Francës, Kristina Vasak. Vlerësova rolin e saj aktiv për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për mbështetjen e sinqertë ndaj procesit të integrimit evropian të vendit tonë. Duke e falënderuar për kontributin thelbësor të Francës në avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, konfirmova se vendimi politik i Këshillit Evropian i marsit për çeljen e negociatave të anëtarësimit është një mundësi historike për vendin tonë. Theksova se, fatkeqësisht, Shqipëria është ende shumë larg përmbushjes së kushteve që kërkohen për zhvillimin e Konferencës së parë ndërqeveritare, me shkeljen brutale dhe të njëanshme nga ana e shumicës qeverisëse së Marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit”, shkroi Meta në profilin e tij në Fejsbuk.
Ai shton se do të jap edhe një mundësi të fundit “Parlamentit njëpartiak” për të respektuar Marrëveshjen pas kërkesës publike të Partisë Popullore Evropiane.
Me miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, Meta dhe opozita e akuzuan kryeministrin Edi Rama dhe shumicën për shkeljen e marrëveshjes së 5 qershorit, e cila u mbështet gjithashtu nga partnerët ndërkombëtarë SHBA dhe BE, të cilët u angazhuan në arritjen e konsensusit rreth Kodit Zgjedhor.
Megjithëse Meta njoftoi se nuk do të nënshkruante ligjin dhe do ta kthente atë në Kuvend për rishqyrtim, Rama u përgjigj se “i firmosur apo jo, le ta kthejë atë sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të fillojë të zbatohet”.
Ai shprehu besimin se hyrja në fuqi e Marrëveshjes me Agjencinë franceze të Zhvillimit (AFD), do t’i japë një shtysë të rëndësishme projekteve zhvillimore në Shqipëri, si dhe do të rrisë interesimin për prani më të madhe ekonomike të Francës në Shqipëri.