Tiranë, 22 shkurt – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një statusi në Fejsbuk thotë se zgjedhjet më 25 prill do ta mposhtin klikën e oligarkëve, në mënyrë indirekte duke e quajtur kryeministrin Edi Rama oligark kryesor.
“Referendumi i 25 prillit do të përmbysë me votë plebishitare klikën oligarkike, që rrjep dhe mashtron shqiptarët prej kohësh. Tmerri i tyre është angazhimi publik i Presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës dhe votës së lirë. Ndaj me gënjeshtra të orkestruara nga kryeoligarku e të bëra publike në mediat e kapura prej tij, kujtojnë se do të frenojnë presidentin të bëjë detyrën kushtetuese për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, që është fuqia dhe e ardhmja e tyre”, shënoi Meta në Fejsbuk.
Ai u tha “atyre të cilët asnjëherë nuk e mbrojtur interesin publik e kombëtar por që mendojnë vetëm për “përsheshin” e radhës.
Sipas Metës, shqiptarët do të votojnë më 25 prill të vitit 2021 për lirinë e dinjitetin e tyre, si asnjëherë më parë në këto 30 vite.
“Më 25 prill të vitit 2021, Demokracia do triumfojë mbi oligarkinë dhe qytetaria mbi marrëzinë”.
Presidenti ka vetëm një votë, si çdo qytetar i këtij vendi dhe do të votojë kundër oligarkisë, që ka nëpërkëmbur Kushtetutën, ligjet dhe të drejtat e njeriut dhe që po mban peng të ardhmen europiane të vendit, shton ai.
Ai kategorikisht i hodhi poshtë akuzat e kryeministrit Edi Rama se ka mbajtur takime sekrete parazgjedhore në favor të partisë Lëvizja Socialiste, lidere e të cilës është bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, e cila në krye të partisë erdhi pasi Meta u zgjodh për shef të shtetit.