Meta: Përmbushja e nëntë kushteve të Bundestagut, rruga më e shpejtë e negociatave

Tiranë, 16 janar – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në takimin e sotëm me komisarin për zgjerim, Oliver Varheji, e vlerësoi angazhimin e tij për zhvillimin e Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Gjithashtu, Meta shprehu falënderim deri te KE dhe vendet anëtare për organizimin e konferencës së donatorëve, e caktuar për më 17 shkurt në Bruksel dhe ndarjen e ndihmës së 15 milionë eurove, pas tërmetit të nëntorit që e goditi Shqipërinë.

“Integrimi evropian mbetet projekti më i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë, ndërsa përmbushja sa më parë e 9 kushteve të Bundestagut është rruga më e shpejtë për çeljen dhe zhvillimin e negociatave të anëtarësimit në BE”, tha Meta, kumtuan nga kabineti i tij.

Komisari për Zgjerim, Oliver Varheji, i cili sot po e bënë vizitën e parë në Shqipëri pas marrjes së detyrës, pas takimit me kryeministrin Edi Rama, në pres konferencën e përbashkët tha se shpreson që negociatat të fillojnë para Samitit në Zagreb.

“Ne vazhdojmë ta konsiderojmë Shqipërinë si vend që është i gatshëm t’i nisë negociatat. Fakti që negociatat nuk filluan në tetor, ishte për shkak të shqetësimit të disa vendeve. Ne do të punojmë deri sa ta arrijmë qëllimin për nisjen e negociatave. Punojmë në hapjen e negociatave para Samitit në Zagreb”, tha komisari.

Ai shtoi se duke e vlerësuar punën nga ana e Shqipërisë, do t’i jepet ndihmë në vlerë prej 28 milionë euro.

Së bashku me kryeministrin, Edi Rama, komisari e vizitoi edhe Durrësin, ku nga afër u njoftua me ngjarjen pas tërmetit, duke thënë se “BE gjithmonë do të jetë me shqiptarët”.(koha.mk)