Meta – Pendarovski: Shqipëria do të vazhdojë të jetë mikja më e mirë e Maqedonisë së Veriut

Shkup, 12 maj – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta sot mori pjesë në inaugurimin e Presidentit të ri të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Pas ceremonisë së betimit, Meta, siç njofton ATSH, u prit në një takim të veçantë nga Presidenti Pendarovski, të cilin e përgëzoi edhe njëherë për fillimin e detyrës, transmeton Koha.mk

Gjatë takimit, Presidenti Meta vlerësoi mbylljen e suksesshme të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, në një frymë të qetë dhe demokratike në të dy raundet, si dhe mesazhet dhe qëndrimin e Presidentit të ri Pendarovksi si gjatë fushatës, edhe pas përfundimit të procesit elektoral.

“Vlerësoj qëndrimin e Presidentit të zgjedhur për ndërtimin e një shoqërie multi-etnike në Maqedoninë e Veriut dhe ku asnjë popullsi apo komunitet nuk do të ndihet i diskriminuar. Në veçanti çmoj rolin kyç të partive politike shqiptare në proceset integruese të Maqedonisë së Veriut, që u dëshmua dhe në këto zgjedhje.Shqiptarët kanë treguar vazhdimisht që janë promotorë dhe mbështetës të fuqishëm të rrugës evropiane dhe zhvillimit të Maqedonisë së Veriut. Edhe gjatë zgjedhjeve presidenciale, me mbështetjen e gjerë ndaj kandidaturës së Presidentit të zgjedhur, ata treguan mbështetje ndaj rrugës Euro-Atlantike dhe ndërtimit të një shoqërie dhe shteti multi-etnik”, shtoi Meta.

Më tej, kreu i shtetit shprehu bindjen se Shqipëria do të vazhdojë të jetë mikja më e mirë e Maqedonisë së Veriut, gjithmonë mbështetëse e progresit të saj, që prej pavarësisë.

“Tashmë kemi hyrë në një fazë të re të bashkëpunimit dypalësh, me qëllim forcimin dhe thellimin në të gjitha fushat”, u shpreh kreu i shtetit.

Presidentët Meta dhe Pendarovski theksuan rëndësinë e çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian të dy vendeve, si një mesazh i fuqishëm për perspektivën evropiane të gjithë rajonit.

“Ne na bashkon synimi i përbashkët i integrimit evropian të vendeve tona, rrugë gjatë së cilës mund të mbështetemi tek njëri-tjetri”, theksoi ndër të tjera presidenti Meta.

Në fund të takimit Kreu i Shtetit e ftoi presidentin e ri të Republikës së Maqedonisë së Veriut për një vizitë zyrtare në Shqipëri, në një kohë sa më të përshtatshme, ftesë që u mirëprit me kënaqësi. (koha.mk)