Tiranë, 3 korrik – Presidenti shqiptar, Ilir Meta në takimin e pasdites me kryeministrin kosovar, Avdullah Hoti, i uroi Kosovës suksese të mëdha në perspektivën evropiane dhe e mbështeti dialogun me Serbinë.
“Jam i lumtur që sot pata një takim vëllazëror me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti. E urova përzemërsisht për detyrën e re dhe për sa më shumë suksese në të mirë të Kosovës, popullit të saj dhe të ardhmes evropiane”, ka shkruar Meta në Fejsbuk.
Shton se Shqipëria e mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe në këtë kuadër “janë të mirëpritura përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së”.
Thekson se është shumë e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces, dhe sipas tij, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri që duhet të ndodhë sa më parë.
“I premtova kryeministrit Hoti se edhe kësaj vere do t’i promovoj me kënaqësi bukuritë natyrore të Kosovës sonë të dashur, i bindur se edhe shumë qytetarë nga Kosova do ta kalojë sezonin turistik në perlat e bregdetit dhe malet e jashtëzakonshme të Shqipërisë”, ka shkruar Meta.
Hoti u takua edhe me liderin e Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, i cili premtoi se “përparësia e parë kur partia e tij të vijë në pushtet do të jetë heqja e tarifave në rrugën e kombit, pra autostradën Tiranë-Morinë.