Tiranë, 28 dhjetor – Për presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ndryshimet në qeveri, nuk janë thelbi i asaj që duhet bërë. Sipas tij, nuk ka vlerë ndryshimi i ministrave nëse nuk ndryshojnë politikat e qeverisë dhe qasja ndaj problematikave aktuale.
Meta shtoi se duhet të ketë një reflektim të përgjithshëm që t’i përgjigjet nevojës për ndryshime dhe jo vetëm kur njerëzit protestojnë por në vazhdimësi.
“Për mua është e rëndësishme të ndryshojë filozofia e qeverisjes, e cila duhet të jetë një filozofi bashkëpunuese, bashkëpunuese me opozitën, bashkëpunuese me grupet e interesit, për të bërë ligje më të mira për zbatimin e ligjeve, bashkëpunuese me institucionet e pavarura sepse kjo do të na ndihmojë që të jemi më reflektues për të sjellë ato ndryshime që kanë nevojë njerëzit në vështirësi, një pjesë e mirë e shqiptarëve, për më tepër për të zgjeruar dhe konsoliduar shtresën e mesme në vendin tonë, që është domosdoshmëri për të evituar një ndarje sociale që mund të bëhej shumë e rrezikshme për shoqërinë tonë. Mund të them që mund të ndërrohet çdo 6 muaj ministri i Bujqësisë, por në rast se nuk ndryshohen politikat për zhvillimin e bujqësisë për mbështetjen e bujqësisë, ndryshimet e emrave nuk i vlejnë as fermerëve, as ekonomisë, as vendit. Kam kohë që kërkoj të ndjekim të paktën modelin e Maqedonisë”, deklaroi Meta.