Tiranë, 6 gusht – Presidenti Ilir Meta thekson se e vetmja zgjidhje për krizën politike në vend janë zgjedhjet.
E teksa në limitet e afateve një ditë më parë të vetmet që u regjistruan në KQZ për zgjedhjet lokale të 13 tetorit ishin Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane dhe Partia Agrare Ambientaliste, Presidenti ka edhe një mesazh për kreun e PD-së Lulzim Basha, i cili nuk u regjistrua për zgjedhjet dhe vazhdon të insistojë se zgjidhja e krizës kalon nga prangat për politikanët hajdutë.
“Pa zgjedhje nuk ka demokraci. Pa demokraci nuk ka drejtësi të pavarur. Pa të dyja së bashku nuk ka të drejta dhe ekonomi për të gjithë shqiptarët. Dhe as ndëshkim për politikanët” thotë Meta, njofton Ora Njuz.
Presidenti shton se moszgjidhja i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe nuk e do çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, pasi ka për të humbur gradualisht pushtetin e paligjshëm politik, ekonomik dhe mediatik.
“18 tetori po afron” kujton presidenti Ilir Meta.