Meta: Një shqiptar sot ndihet më i pashpresë se një sirian, irakian apo afgan

39

Tiranë, 22 janar – Presidenti shqiptar Ilir Meta i publikoi, siç thekson, të dhënat shqetësuese nga Eurostat, për numrin e shtetasve shqiptarë që kërkojnë azil ekonomik për 10 mijë banorë në periudhën e vitit 2014-2019.

Gjatë asaj periudhe azil ekonomik në ndonjë nga vendet e BE-së kanë kërkuar 189.975 shtetas shqiptarë.

“Shqipëria në vitin 2019 është në vendin e parë në Evropë sipas numrit të azilkërkuesve ekonomikë për 10 mijë banorë. Bazuar në të dhënat e Eurostat-it, Shqipëria shënon migrimin më të lartë neto, në krahasim me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit. Shqipëria ika lënë pas vetes vendet që sapo kanë dalë nga lufta dhe konfliktet civile”, thekson Meta.

Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti Meta thekson a se “një shqiptar sot ndihet shumë më i pashpresë se një sirian, irakian apo afgan”.

Ai bën thirrje që tani është koha për të menduar dhe vepruar për shqiptarët.

“Lufta efikase kundër varfërisë, zhdukja e monopoleve, anulimi i koncensioneve korruptive, rritja e prekshme e pagave dhe pensioneve, hapja e vendeve të reja të punës, ulja e taksave, krijimi i shanseve dhe i mundësive të reja për të rinjtë e ndalojnë shpopullimin. Koha për të menduar dhe vepruar për shqiptarët!”, shkruan Meta.

Në grafikun që e publikoi Meta, në vendin e dytë janë qytetarët e Sirisë, më pas vijojnë ato nga Kosova, pastaj nga Maqedonia e Veriut dhe Afganistani. Sipas numrit të kërkesave për azil ekonomik, qytetarët e Serbisë janë në vendin e tetë, më pas vijojnë ata të Malit të Zi, pastaj Bosnjë e Hercegovinës dhe në vendin e dhjetë janë qytetarët e Turqisë.