Tiranë, 7 korrik – Vetëm nëpërmjet zbatimit të masave dhe protokolleve, nëpërmjet shembullit personal, do të mundemi t’ia dalim së bashku, edhe në këtë fazë të pandemisë, deklaroi sot presidenti shqiptar Ilir Meta, i cili zhvilloi sot një takim pune me kërkesë të tij me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, për sfidat aktuale të përballimit të pandemisë Kovid-19.
Ministrja Manastirliu e informoi se në zbatim të strategjisë së hartuar dhe propozimeve të Komitetit teknik të ekspertëve, janë marrë masat për sigurimin e mjeteve të mbrojtjes personale, rritjen e kapaciteteve të testimeve, kapaciteteve spitalore dhe burimeve njerëzore.
“Strategjia që po ndjekim ka nevojë për bashkëpunimin e qytetarëve për të përballuar situatën e shkaktuar si pasojë e Kovid-19. Vetëm nëpërmjet zbatimit të masave dhe protokolleve, nëpërmjet shembullit personal, do të mundemi t’ia dalim së bashku, edhe në këtë fazë të pandemisë”, tha ministrja Manastirliu.
Kreu i Shtetit pasi e siguroi ministren për solidaritetin dhe mbështetjen e Tij të plotë për institucionet shëndetësore, shprehu falënderim dhe mirënjohje për të gjithë mjekët, infermierët dhe personelin mbështetës që janë duke shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal në vijën e parë të frontit. E theksoi rëndësinë e mbështetjes së sektorit të shëndetësisë me buxhetin e duhur, si dhe nevojën e rritjes së masave mbrojtëse për mjekët.
Meta e nënvizoi nevojën e forcimit të bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha vendet fqinje për marrjen e masave për parandalimin dhe përhapjen e mëtejshme të Kovid-19, me qëllim rihapjen sa më parë të kufijve tokësorë.
Për shkak të gjendjes së përkeqësuar me pandeminë, Meta dje në konferencë shtypi tha se nuk e hedh poshtë mundësinë që ta konvokojë Këshillin e sigurisë kombëtare.