Presidenti i Republikës së Shqiperisë Ilir Meta, ishte i Ftuar Nderi në Senatin amerikan nga Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes, Senatori Jim Inhofe, për të mbajtur fjalën në forumin me temë: “Sfidat e Rajonit të Europës Juglindore dhe përballja me ndërhyrjen nga Rusia”.
Presidenti Meta njohu audiencën me sfidat e sigurisë në rajonin e Europës Juglindore dhe rolin e Shqipërisë në politikën rajonale, qëndrimin e tij mbi bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga BE-ja, si dhe përpjekjet dhe reformat e vendit drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Presidenti Meta tha se Ballkani ka pësuar transformime të thella në dy dekadat e fundit në të cilat janë investuar seriozisht SHBA-ja dhe BE-ja.
Një nga investimet më të mëdha dhe të suksesshme ka qenë Pavarësia e Kosovës dhe në vijimësi vendosja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve dhe të stabilitetit, paqes dhe sigurisë afatgjatë në rajon.
Marrëveshja që mendohet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë është e rëndësishme të çlirojë energji pozitive, të ndihmojë frymën e bashkëjetesës dhe të ndërtojë një të ardhme më të mirë për të dy vendet.
Lidhur me ndërhyrjen e Rusisë dhe rolin e saj në rajon, Presidenti Meta u shpreh se ardhmja rajonin është Europa e Bashkuar dhe NATO-ja, ndërsa Shqipëria dhe shqiptarët do vazhdojnë të jenë promotorë e integrimit të rajonit në NATO dhe BE.
Presidenti Meta foli gjithashtu lidhur me situatën në Maqedoni e Veriut dhe konsideroi miratimin nga dy parlamentet të ndryshimit të emrit si një arritje historike që do ta bëjë rajonin më të sigurtë dhe do ta sjellë më pranë BE-së dhe NATO-s, duke theksuar se ky është një proces i rëndësishëm dhe jetik për të ardhmen e tij.