Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta priti të mërkurën në takim delegacionin e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, kryesuar nga z. Carl Bildt, ish-Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Suedisë.
Në këtë takim Meta konsideroi të papranueshme dhe të pamundura idetë destruktive për ndarje apo shkëmbime territoresh. Meta gjithashtu ka thënë se këto janë tentativa të dëshpëruara për mbivendosjen e agjendave populiste mbi agjendat jetike të integrimit dhe stabilitetit. Sipas Presidentit shqiptar, programi i vetëm i punës në tryezat e drejtuesve politikë duhet të jenë zgjidhja e problemeve e shqetësimeve reale të qytetarëve. “Prioritet në secilin vend, sundimin e ligjit dhe demokracisë”, ka thënë ndër tjerash në këtë takim Presidenti Meta me ish-Kryeministrin dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt.