Tiranë, 22 maj – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka bërë thirrje për inkuadrim drejt lëvizjeve qytetare në të gjithë vendin për të krijuar front të bashkuar për rivendosjen e demokracisë përmes zgjedhjeve të lira dhe korrekte.
Përmes njoftimit në Fejsbuk, Meta i bëri thirrje popullit që të qëndrojë në mbrojtje të demokracisë dhe ta rrënojë tiraninë.
“Maji është muaj i veçantë, i përkujtimit të revoltave kundër diktaturës më të egër që njohu Evropa për gjysmë shekulli. Ndaj ne nderojmë me mirënjohje zemërluanët e Qafë Barit dhe të Spaçit, dy burgjeve më të tmerrshme, të cilët guxuan të ngrihen e të luftojnë për lirinë dhe të drejtat e tyre, duke dhënë edhe jetën. Ata thyen mitin e paprekshmërisë të regjimit kriminal dhe treguan se nuk mund të ishte i përjetshëm”, shkroi Meta.
Sot, kur shohim se sa ka rënë demokracia jonë, shtoi ai, respekti i vetëm që mund dhe duhet të bëjmë për viktimat e tyre është t’u bashkohen lëvizjeve qytetare që rriten në të gjithë vendin për të “krijuar front të bashkuar për të rivendosur demokracinë përmes zgjedhjeve të lira dhe korrekte”.
“Nderim zemërluanëve të Aleancës së Mbrojtjes së Teatrit, të cilët fituan admirimin e mbarë Evropës për kauzën e tyre fisnike dhe i hoqën maskën e fundit regjimit të dhunës kriminale. Le të ngrihemi të gjithë për demokracinë! Kur populli ngrihet, tirania bie! Liria fitohet, nuk dhurohet”, ka shkruar Meta në Fejsbuk.
Tensioni politik në Shqipëri, i cili siç duket është qetësuar pas tërmetit shkatërrues më 26 nëntor të vitit të kaluar dhe pandemisë së Kovid-19, u rishfaq pas prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar më 17 maj të këtij muaji. Përveç punëtorëve të teatrit dhe sektorit civil, opozita dhe kreu i shtetit kundërshtuan prishjen e teatrit.