Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i ka drejtuar një letër publike kryeministrit të vendit, Edi Rama, ku shpreh indinjatën se ky i fundit nuk pranoi ftesën për t’u takuar. Meta shkruan se Rama iu përgjigj ftesës së tij me një të larë në pishinë vetëm 200 metra larg Presidencës.
“Ti më ke privuar padrejtësisht, si në planin institucional, ashtu edhe në atë njerëzor, nga mundësia për t’u takuar bashkë.
Jam thellësisht i indinjuar dhe njëkohësisht i brengosur që pritjes sime sot, nga ora 05:00 e mëngjesit ti i’u përgjigje me një të larë në pishinë vetëm 200 metra larg Presidencës”, -shkruan Meta.
Letra publike drejtuar Ramës:
I dashur Edi,
Ti më ke privuar padrejtësisht, si në planin institucional, ashtu edhe në atë njerëzor, nga mundësia për t’u takuar bashkë.
Jam thellësisht i indinjuar dhe njëkohësisht i brengosur që pritjes sime sot, nga ora 05:00 e mëngjesit ti i’u përgjigje me një të larë në pishinë vetëm 200 metra larg Presidencës.
Doja ta vendosnim bashkë datën e zgjedhjeve dhe kam që nga data 8 qershor 2019 që të pres e të pres, me shpresë.
Por unë, siç me të drejtë ti ankoheshe, nuk mund ta lija Shqipërinë pa një datë të zgjedhjeve vendore dhe t’u mohoja shqiptarëve të drejtën për të votuar në mënyrë të qetë, në paqe dhe me alternativa.
Data 13 tetor 2019 e dekretuar nga unë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, u vendos sepse kjo është data më e shpejtë për të garantuar të drejtën e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe për të garantuar përfshirjen në procesin e administrimit të zgjedhjeve.