Tiranë, 5 mars – Presidenti Ilir Meta ka kërkuar nga shumica qeverisëse të zgjasë vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit (pasaportës dhe letërnjoftimit) deri më 30 prill në mënyrë që të garantojë të drejtën kushtetuese për të votuar, për të gjithë qytetarët me të drejtë vote në zgjedhjet e 25 prillit.
Në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe ministrit të Punëve të Brendshme Blendi Çuçi, Meta tha se kishte rreth 800.000 votues me të drejtë vote, që rrezikojnë të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021 për shkak të vlefshmërisë së dokumentit për identifikimin e tyre ka skaduar ose skadon deri në ditën e zgjedhjeve.
“Duke ju referuar numrin të zgjedhësve prej (1.613.960 zgjedhës) që morën pjesë dhe votuan në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, rezulton se, shifra prej 800.000 shtetas të cilëve u skadon afati i vlefshmërisë së dokumentit të identifikimit është sa gjysma e pjesëmarrësve në zgjedhjet e përgjithshme pararendëse, ç’ka përbën një fakt tepër shqetësues. Shtyrja e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit për një periudhë deri më 30 prill 2021, është një zgjidhje e pranueshme, një masë proporcionale dhe e domosdoshme në rrethanat aktuale, që duhet të vlerësohet e ndërmerret pa vonesë, në funksion të garantimit të një procesi zgjedhor të aksesueshëm nga çdo qytetar me të drejtë vote”, thekson Meta në mes tjerash në letër.
Ai vlerësoi se kjo do të kontribuojë në realizimin e së drejtës qytetare në zgjedhje, si dhe në ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor.
Më herët, Meta u bëri thirrje institucioneve gjyqësore të garantojnë proces të ndershëm zgjedhor dhe të parandalojnë çdo parregullsi. Në takimin me sektorin civil, Meta tha se votimi duhet të jetë i shenjtë dhe i barabartë dhe se çështja e zgjedhjeve është çështje e të gjithë shoqërisë, sepse nga kjo varet integrimi i Shqipërisë.