Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, duke komentuar vendimin e parlamentit të Holandës për suspendimin e regjimit pa viza me Shqipërinë, vlerësoi se Tirana duhet të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj, me qëllim që ai vendim të mos shkaktojë efekt domino, që edhe vendet e tjera të fillojnë me kthimin e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë.
“Procedura e Parlamentit holandez është e paprecedent, për shkak se sa e kam të njohur, deri tani nuk ka ndodhur të ekzistojë kërkesë e tillë për Ballkanin Perëndimor edhe për vendin tonë. Kuptohet, ky është alarm dhe ne duhet të japim porosi më të fuqishme për krimin e organizuar, i cili nuk është dukuri shqetësuese vetëm për Holandën, por edhe për vende të tjera, siç është Britania e Madhe. Së dyti, ne patjetër duhet të kemi bashkëpunim më të ngushtë me Komisionin Evropian, që të mos kemi situatë që mund të krijojë perceptim negativ për Shqipërinë. Kjo na tregon se ka disa arritje që mund të jenë të dëmshme dhe të prekshme për vendin tonë. Kjo kërkon reflektim të fuqishëm dhe përkushtim”, deklaroi Meta.
Ai nuk e hodhi poshtë mundësinë që Shqipëria të ballafaqohet me kësi lloj vendimesh edhe nga vendet e tjera anëtare të BE-së.
“Kjo që ndodhi në Holandë, nuk mund të përjashtohet se nuk do të ndodhë edhe në ndonjë vend tjetër. Me rëndësi është që me përgjegjësi të reagojmë edhe ndaj qytetarëve tanë dhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë”, deklaroi Meta.
Parlamenti i Holandës dje e miratoi kërkesën e grupit të deputetëve për kthimin e vizave për hyrje në vendin e shtetasve të Shqipërisë, për shkak të “krimit të rritur shqiptar” në Holandë. Vendimi është dorëzuar deri te Qeveria , e cila duhet të drejtohet drejt Brukselit, për shkak se fjalën e fundit në lidhje me kërkesën e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë e ka Bashkimi Evropian. (koha.mk)