Meta flet për dekretimin e Ramës si Ministër të Jashtëm

Në intervistën që dha për emisionin “Opinion”, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka folur lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe përplasjet mes tij dhe Kryeministrit Rama për çështjen e Ministrit të Jashtëm. Por a do të dekretojë Ramën si ministër të Jashtëm?

“Është një lajm i freskët dhe mesa jam në dijeni, pak më parë ka mbërritur apo është protokolluar një propozim i tillë, për të cilin natyrisht që më duhet një kohë e mjaftueshme për t’u këshilluar dhe për të dhënë një vlerësim të plotë.

Besoj se kohë e mjaftueshme do të thotë që çdo veprim të bëhet me përgjegjshmëri, duke respektuar Kushtetutën dhe duke marrë në konsideratë çdo kërkesë të vetë Kushtetutës.

Jua thashë edhe një herë që një kërkesë e tillë sapo është depozituar dhe do të kërkojë kohën e saj. Dhe përgjigjja do të jetë tepër e përgjegjshme, por edhe transparente.

Së dyti, nuk mund të bëjmë një paralelizëm të rastit të kandidatit të mëparshëm me kandidatin e vetëpropozuar, për arsye se në rastin e dytë kemi të bëjmë me një figurë të njohur politike, ndërsa në rastin e parë kishim të bënim me një figurë tërësisht të panjohur deri më sot, të paktën për mua siPresident i Republikës, por kam përshtypjen edhe në tërësi për opinionin publik.

Që do të thotë se do të më duhet kohë për të dhënë një përgjigje të qartë, të plotë dhe shteruese” – tha Meta.