Tiranë, 27 janar – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta e përshëndeti angazhimin e Gjermanisë për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, transmeton gazeta KOHA.
“E përshëndes angazhimin e vazhdueshëm të kancelares, Angela Merkel për çeljen e negociatave të anëtarësimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Zbatimi i 9 kushteve të Bundestagut me rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, janë harta më e sigurt e rrugës evropiane të Shqipërisë”, shkroi Meta në Fejsbuk.
Në mesazh, Meta ndan një fotografi të takimit të kryeministrit Edi Rama me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Për shkak të marrëdhënieve të ftohura mes Metës dhe Ramës, publikimi i fotografisë, që është një gjë e rrallë, është parë nga mediat si një shenjë e pajtimit.
Përndryshe, në takimin me kryeministrin Rama në Berlin, Angela Merkel deklaroi se do të bëj gjithçka që në mars të arrihen rezultatet konkrete për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.
Vizita në Berlin e Ramës është si pjesë e turneut të tij në kryeqytetet evropiane në përgatitje të konferencës donatore, për sanimin e pasojave nga tërmeti shkatërrues që e goditi Shqipërinë më 26 nëntor, ndërsa do të mbahet më 17 shkurt.(koha.mk)