Meta e Limaj pajtohen që çdo vendim për “Rrugën e Kombit” duhet të studiohet mirë

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj, për të shkëmbyer mendime për rritjen e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë.

Në një postim të bërë në Facebook, Meta shkruan se ndanë të njëjtat mendime për Rrugën e Kombit, të cilën e quan investimi më madhor që kanë bërë dy vendet.

“Mirëmbajtja dhe rritja e standardeve të lëvizjes dhe sigurisë është shumë e rëndësishme, por çdo vendim në këtë drejtim duhet të jetë i mirëstudiuar dhe i konsultuar”, shprehet Ilir Meta.

Statusi i plotë:

Ishte kënaqësi të prisja sot Zëvendëskryeministrin e Kosovës, z.Fatmir Limaj, për të shkëmbyer mendime për rritjen e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë.

Ndamë të njëjtën bindje se Rruga e Kombit është investimi më madhor që kanë bërë dy vendet tona, e cila ka ndihmuar ndjeshëm rritjen e shkëmbimeve të gjithanshme midis dy vendeve dhe qytetarëve tanë.

Mirëmbajtja dhe rritja e standarteve të lëvizjes dhe sigurisë është shumë e rëndësishme, por çdo vendim në këtë drejtim duhet të jetë i mirëstudiuar dhe i konsultuar, në mënyrë që ky korridor kombëtar jetik të gjenerojë edhe më shumë zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët tanë.