Tiranë, 24 janar – Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, në takimin e sotëm në Tiranë me Komandantin e Forcave Ajrore të NATO-s, gjeneral Tod Uolters ka vlerësuar se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është garanci për siguri në rajon, informon Koha.
“Pas anëtarësimit të Malit të Zi, anëtarësimi i shumëpritur i Maqedonisë në NATO do të jetë garanci shtesë për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, ka vlerësuar Meta.
Ai ka theksuar se në dhjetëvjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe 20 vjetorit pas intervenimit ushtarak të Aleancës, me çka “i dha fund gjenocidit në Kosovë dhe rajon”, Shqipëria dhe shqiptarët asnjëherë nuk do të harrojnë dhe gjithmonë do të jenë mirënjohës ndaj SHBA-së dhe NATO-s.
Meta ka shfaqur kënaqësi të veçantë për zgjedhjen e Kuçovës, si lokacion për bazën moderne ajrore të NATO-s, që është shenjë e besimit dhe falënderimit që Aleanca e ka për Shqipërinë dhe kontributin e saj në sigurinë e rajonit.
“Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë është investim strategjik, si për sigurinë tonë kombëtare, ashtu edhe për atë rajonale”, vlerëson presidenti Meta.
Sipas tij, Shqipëria është e interesuar që NATO të forcohet më tej si në aspektin politik ashtu edhe atë ushtarak dhe siguroi për gatishmërinë për të plotësuar jo vetëm të gjitha detyrimet por edhe për të marrë përgjegjësi të reja.
Në konferencën e sotme të përbashkët për shtyp të gjeneralit Uoters dhe ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka ishte paralajmëruar se në afat prej disa muajve do të përgatitet Master-plani nga Agjencia e NATO-s për furnizime dhe përkrahje – NSPA. Master-plani e hap rrugën për fillimin e punëve në terren.
“Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë është lajm i shkëlqyer jo vetëm për ne, por edhe për tërë rajonin dhe për sigurinë e tërë rajonit”, tha Xhaçka.
Për fazën e parë të punës, NATO-ja do të ndajë 50 milionë euro, me qëllim që ta shndërrojë Kuçovën në bazë për pajisje, logjistikë, trajnime dhe stërvitje. (Koha.mk)