Aktori i njohur turk, Engin Altan Düzyatan, mjaft i njohur edhe për shqiptarët me rolin e Ertugrulit, ka pasur vizitorë të veçantë në sheshin e xhirimeve të telenovelës me të njëjtin emër (Ertugrul). Bëhet fjalë për Mesut Ozil, futbollistin e Arsenalit, me origjinë turke, edhe pse ka luajtur me kombëtaren gjermane, me të cilën ka fituar edhe Kupën e Botës. Ylli i “Topçinjve” të Londrës shoqërohej nga e fejuara, Amine Gulse.
Të dy kanë pranuar publikisht se e ndjekin me shumë interes serialin televiziv turk në fjalë, ku Engin Altan Düzyatan është pesonazhi kryesor. Düzyatan i ka dhuruar çiftit “VIP”, që do të martohet kësaj vere, një kostum të blinduar, të cilin e ka përdorur vetë gjatë xhirimeve të telenovelës, e cila ka thyer rekorde shikueshmërie në Turqi dhe më gjerë. Kjo ishte dhurata historike e “Ertuğrul” për dasmën, në të cilën, me siguri do të ketë një ftesë të veçantë.
Özil tha se e shikon rregullisht këtë serial përmes televizorit, nga shtëpia në Londër, bashkë me Gülse, modelen turke. Ata e përgëzuan të gjithë kastin e aktorëve, duke iu bërë me dije se motivet osmane (të spikatura në këtë telenovelë) do të përbëjnë atmosferën magjike të dasmës së tyre buzë Bosforit, mbrëmjen e 7 qershorit, në Stamboll. I pranishëm në këtë ceremoni pritet të jetë edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
Fotoja me këtë të fundit, para finaleve të Botërorit 2018, u bënë shkak polemikash të shumta për futbollistin turko-gjerman, i cili vendosi të tërhiqej nga kombëtarja e Gjermanisë, duke hedhur akuza të shumta për racizëm e trajtim ndryshe, vetëm se kishte rrënjë turke.