Një mësuese ka vendosur t’u shkruajë nga një letër secilit prej 100 nxënësve të saj. Brittni Darras, një mësuese nga Kolorado, SHBA, postoi fotot e tavolinës së mbushur me letra. Por arsyeja se përse po u shkruante letër, është kaq prekëse, sa ka bërë shumë njerëz të lotojnë. “Dy muaj më parë, ishte hera e parë që qava gjatë një takimi me prindërit”. “Nëna e një nxënëseje, të cilës i kam dhënë mësim prej dy vitesh, erdhi te tavolina dhe më shpjegoi se përse vajza e saj nuk vinte në shkollë”. “Vajza e saj, e dashur, inteligjente, e bukur, e re, jo vetëm kishte planifikuar vetëvrasjen, por ishte duke e kryer, teksa ndërhyri policia dhe e ndaloi”. “Ajo kishte fshirë llogaritë e saj në median sociale dhe kishte lënë letra lamtumire. Ishte gati për të lënë këtë botë”. Brittni shpjegon se ajo dhe mamaja e vajzës po qanin, teksa flisnin.
Mësuesja e pyeti mamanë e vajzës nëse mund t’i shkruante një letër nxënëses së saj në spital. Ajo i tha se do ishte diçka shumë e mirë. “Nxënësja ime e mori letrën, mamaja e saj tha se vajza kishte qarë, ishte kthyer nga e ëma dhe i kishte thënë: Si mundet dikush të thotë gjëra kaq të mira për mua? Nuk mendoja se dikujt do i mungoja nëse do ikja”. “Kjo më bëri të kuptoj se isha shumë pranë humbjes së një tjetër nxënësi nga vetëvrasja. Kalova dy muaj duke i shkruar letër çdonjërit prej 100 nxënësve të mi, duke u treguar se çfarë kanë të veçantë dhe unike secili”. Brittni beson se vetëvrasjet po bëhen gjithmonë e më të zakonshme për shkak se ne ushtrojmë shumë presion ndaj fëmijëve për të qenë të suksesshëm ose më të mirët. “Ne duhet të kujtojmë se çdo njeri është unik dhe kjo i bën ata të veçantë”. “Në vend që t’i ndryshojmë, duhet t’i përqafojmë siç janë, për shkak se së bashku, mund të bëjmë diferencën dhe të shpëtojmë jetë”.